Lajme Shqip Thursday, 28 July 2011 21:04

Prishtinë – EULEX-i nuk dëshiron tash për tash të bëjë komente rreth deklaratave të kryeministrit kosovar, Hashim Thaçi, i cili e kritikoi misionin për sundimin e ligjit në vend për mosmbështetje të aksionit të Policisë së Kosovës për marrjen e pikave 1 dhe 31, njohtojnë mediat kosovare.

Shefi i zyrës për informim të EULEX-it, Nikolas Hjuton tha se aktualisht në pikat 1 dhe 31 janë prezentë vetëm pjesëtarë të KFOR-it dhe policia speciale e EULEX-it. Ai theksoi se atje nuk ka as policë e as doganierë të Kosovës, për çfarë edhe ishte realizuar aksioni i Njësisë speciale të PK-së.

“Për momentin në pikat 1 dhe 31 ka vetëm trupa të KFOR-it dhe polici speciale të EULEX-it, se a do të ketë ndonjë ndryshim të gjendjes për këtë nuk jam i sigurt, këtë mbetet ta shohim, por këto pika për momentin janë të kontrolluara nga KFOR-i dhe EULEX-i”, tha Hjuton.

Ndërsa, për të shtuar sigurinë e qytetarëve në pjesën veriore, është rritur numri i policëve të EULEX-it, të cilët po patrullojnë në anën veriore. Gjatë natës së mbrëmshme, si dhe gjatë ditës së sotme ata kanë patrulluar në zonat e banuara me shqiptarë në veri, në mënyrë që të garantohet siguri shtesë për banorët që jetojnë atje.