Lajme Shqip Thursday, 19 May 2011 19:45

Prishtinë – Misioni EULEX, është kompetent për të kryer hetimet lidhur me pohimet për trafikim organesh në Kosovë, hetimet preliminare janë në rrjedhë e sipër, tha shefi i misionit të BE-së në Kosovë, Silvio  Bonfili.

Ai këto komente i bëri para se të niset për vizitë në Beograd.

“Kur bëhet fjalë për krime lufte ju e dini se EULEX-i ka ingerenca të veçanta, si dhe për krimin e organizuar. Korrupsioni është krim tjetër, pasi që ne kemi ingerenca sekondare, pasi që prokurorët dhe gjyqtarët kosovarë tashmë janë duke u marrë me krimet sikurse është korrupsioni”, ka thënë Bonfili në një intervistë për mediat serbe.

Bonfili vlerëson se institucionet e Kosovës nuk janë të gatshme të merrem me krime lufte dhe tha se në të ardhmen raportet për këtë cështje do të ndryshojnë.

Bonfili ka hedhur poshtë pohimet se misioni evropian për sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë nuk ka ingerenca që të kryejë hetime jashtë Kosovës.

Ai mohon deklaratat se nuk ekziston sistem i mbrojtjes së dëshmitarëve.

“EULEX-i ka kapacitete për mbrojtjen e dëshmitarëve. Në Kosovë është në procedurë ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve, por ne në EULEX kemi sistem të shkëlqyeshëm për mbrojtjen e tyre. Kjo do të fuqizohet më tej në kuadër të BE-së dhe sipas kësaj absolutisht jemi të bindur se me sistemin tonë për mbrojtjen e dëshmitarëve me lehtësi mund të udhëheqim një hetim të tillë”, ka thënë Bonfili.

Bonifili është optimist se do të arrihet një zgjidhje edhe për gjykatat në veri.

“Jam optimist se në një të ardhme të afërt do të arrijmë deri te zgjidhja dhe dua ta përsërisë, gjithmonë kur ka edhe aktorë të tjerë, nuk duhet vetëm EULEX-i që të punojë lidhur me këtë”, ka thënë Bonifili.

Ai ka bërë të ditur se me bashkëbiseduesit nga Ministria e Drejtësisë do të diskutojë lidhur me personat e pagjetur, situatën në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë dhe çështje tjera teknike.