Lajme Shqip Friday, 28 September 2012 16:19

Prishtinë – EULEX-i ka konfirmuar për RTK-në se e ka pranuar një kallëzim penal për zëvendëskryeministrin, Behgjet Pacolli, i cili dyshohet se ka falsifikuar disa dokumente që ia ka dërguar Agjencisë Kundër Korrupsionit. Arritjen e kallëzimit penal kundër Pacollit, në Prokurorinë Speciale të EULEX-it e ka konfirmuar njëri nga zëdhënësit e EULEX-it, Blerim Krasniqi, përmes postës elektronike.

“Prokuroria Speciale e ka pranuar një kallëzim penal nga Agjencia Antikorrupsion, mirëpo ne nuk mund të japim detaje të lëndës së pranuar”, ka deklaruar zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi për Televizionin Publik të Kosovës.

Ndërkohë, në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, e cila e ka bërë kallëzimin penal, nuk kanë folur për rastin. Kreu i kësaj agjencie, Hasan Preteni, tha se gjendet jashtë Kosovës, duke mos dhënë detaje të tjera.

RTK ka kontaktuar me zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli, i cili gjendet në Nju Jork. Përmes telefonit, ai tha se nuk dëshiron të komentojë për këtë çështje, pa e parë lëndën dhe se pas kësaj do të japë mendimin e tij për këtë çështje.

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës dhe njëherësh kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka qenë duke u hetuar për konflikt interesi, për shkak se vitin e kaluar ka nënshkruar disa memorandume të bashkëpunimit në Nigeri në emër të bizneseve evropiane.

AKK-ja pati nisur hetimet për të vërtetuar nëse dokumentet që ka ofruar Pacolli, gjatë hetimeve të para kanë qenë valide apo të rrejshme(LajmeShqip.com)