Lajme Shqip Thursday, 20 September 2012 16:25

Prishtinë – Një gjykatës i EULEX-it konfirmoi aktakuzën kundër ish prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe ish kreut të Task Forcës Anti-Korrupsion brenda Prokurorisë Speciale, Nazmi Mustafi, si dhe tre të akuzuarve të tjerë Reshad Zherka, Xhelal Zherka dhe Mirela Ndoci.

EULEX njoftoi sot se, Nazmi Mustafi akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe për posedim të armës pa leje. Ndërsa, Reshad Zherka dhe Xhelal Zherka akuzohen për veprat penale të ushtrimit të ndikimit, nxitje të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje apo asgjësim të shkresave zyrtare dhe mashtrim të blerësve. Ndërkohë, Mirela Ndoci akuzohet për veprën penale të dhënies së ndihmës në abuzimin e pozitës apo autoritetit zyrtar.

Gjykatësi i EULEX-it  i shpalli të gjitha provat e paraqitura në këtë rast si të pranueshme dhe konfirmoi aktakuzën në tërësi për të gjitha veprat penale kundër të gjithë të pandehurve.(LajmeShqip.com)