Lajme Shqip Friday, 18 March 2011 10:51

Prishtinë – Një zyrtar i lartë në njërin prej misioneve ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë i ka thënë gazetës “Zëri” se të huajt janë jo pak të shqetësuar për gatishmërinë njerëzve të Kosovës që të mblidhen brenda pak minutash në mbrojtje të atyre, që ndërkombëtarët duan t’i arrestojnë për krime lufte.

“Situata nuk mund të thuhet se është aq e ndjeshme se sa në marsin e vitit 2004, mirëpo habitemi se si gjëra kaq të ndjeshme i ndodhin Kosovës çdo herë në muajin mars”, vlerësoi zyrtari ndërkombëtar që pranoi të flasë në kushte anonimiteti.

Ky i fundit kujton trazirat që eskaluan në dhunë dhe shkatërrime gjatë vitit 2004, derisa thotë se “grupe të caktuara njerëzish që shfaqin gatishmërinë të mos lejojnë as arrestimin e personave që drejtësia i kërkon në dyshimin për krime gjatë luftës është jo pak shqetësuese”.

Përpos kësaj, një tjetër shqetësim për ndërkombëtarët është edhe kriza e mundshme institucionale që jo vetëm ndërkombëtarët dyshojnë se mund të shkaktohet pas ngjarjeve të ditës së mërkurë.

Sipas të njëjtit zyrtar, Qeveria e Kosovës është jo pak e shqetësuar me bisedën që Fatmir Limaj ka pasur ditën e mërkurë me zyrtarë të EULEX-it, ka bërë të ditur e përditshmja kosovare “Zëri”.