Lajme Shqip Monday, 12 December 2011 10:32

Prishtinë-Misioni Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), deklaron se ka bërë progres në hetimin e vrasjes së anëtarit të njësisë speciale, ROSU, Enver Zymberi.

Shefi i Zyrës për informim në EULEX, Nicholas Hawton, ka konfirmuar për të përditshmen “Zëri” se përpos që tashmë janë mbledhur të gjitha dëshmitë e mundshme për këtë rast, ata tashmë e kanë identifikuar edhe vendndodhjen e gjashtë personave, të cilët dyshohen se kanë marrë pjesë në vrasjen e policit Enver Zymberi. 

Hawton nuk tha nëse ata janë në Kosovë, apo diku jashtë saj, por se tashmë dihet zyrtarisht se për gjashtë të dyshuarit janë lëshuar edhe njoftimet ndërkombëtare për kërkimin e tyre.

“Të gjashtë personat janë në arrati, ndërsa informacioni në dispozicion sa i përket vendndodhjes së tyre, nuk mund t’i bëhet e ditur publikut për shkak të arsyeve operative”, ka deklaruar Hawton. 

Enver Zymberi u vrarë më 26 korrik, gjatë përpjekjeve të Njësisë ROSU dhe asaj për ndwrhyrje të shpejtë për të marrë nën kontroll pikën e kalimit kufitar 31 apo Bërnjakun.

Hetimi për këtë çështje, zyrtarisht quhet i përbashkët mes Task Forcës Mitrovica të EULEX-it, Njësisë së Policisë së Kosovës për Krime Serioze dhe Njësisë së Hetimeve Rajonale të Policisë në Mitrovicë. Këto njësi koordinohen nga një ekip i përzier hetuesish që përfshijnë prokurorin vendor të Qarkut dhe një prokuror të EULEX-it.

Nicholas Hawton, ndonëse njofton se momentalisht nuk ka hetime të nisura ndaj personave të tjerë që mund të kenë bashkëpunuar me të dyshuarit, nuk e hedh poshtë mundësinë që numri i të dyshuarve apo bashkëpunëtorëve të rritet.

EULEX me kohë e ka bërë të ditur se situata në veri e ka bërë të pamundshme në raste të caktuara të arrijë kapjen apo qoftë edhe marrjen në pyetje të personave të dyshuar. Përpjekjet e EULEX-it, edhe në marrjen e dëshmive apo fakteve në terren, në veri, i ka pasur me vështirësi, për shkak të reagimeve të organizuara të serbëve. 

Përpos që disa herë ekipet e këtij misioni dhe KFOR-it nuk janë lejuar të qarkullojnë lirshëm në veri, më 1 nëntor të këtij viti, serbët e kanë pamundësuar edhe qarkullimin e lirë të komandantit të KFOR-it, Erhard Drews dhe zëvendësshefit të EULEX-it, Andrew Sparks.

Të dy zyrtarët e lartë ndërkombëtarë janë ndaluar pikërisht në afërsi të vendit, ku ka ndodhur vrasja e policit Zymberi, afër barrikadës së vendosur në Zupçë.