Lajme Shqip Wednesday, 01 February 2012 13:40

Prishtinë-EULEX dhe Qeveria e Kosovës së bashku në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Shefi i EULEX-it, Ksavier But de Marnak vlerësoi se shembull konkret për avancimini e sundimit të rendit dhe ligjit është hapja e dialogut për liberalizimin e vizave. Por sipas tij, janë edhe një sërë sfidash që duhet kaluar, për të rritur nivelin e ligjshmërisë në Kosovë.

Një prej prioriteteve gjatë këtij viti, sipas shefit të EULEX-it, është përmirësimi i kornizës ligjore për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, ndërsa qëllim kryesor mbetet luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe vendosja e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës.

“Si kryesues i misionit, unë do ta fokusoj misionin tim në tri fusha për vitin 2012. Së pari për zhvillimin e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, ne vecanti sa i përket aktiviteteve të përbashkëta me institucionet e Kosovës, së dyti duke mbështetur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së dhe e treta është rivendosja e lirisë së lëvizjes dhe institucioneve tona në veri të Kosovës”.

Marnak vlerësoi lart edhe punën e Policisë së Kosovës, sidomos në konfiskimin e lëndëve narkotike, ndërsa theksoi se aktivitetet e saj në protestat e fundit, ishin sipas standardeve evropiane.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi shprehu përkushtimin e Qeverisë për të adresuar sfidat që dalin nga Raporti i Progresit. Një prej top prioriteteve të Qeverisë së Kosovës, sipas tij, gjatë këtij viti do të jetë procesi i liberalizimit të vizave.

E ushtruesi i detyrës i udhëheqësit të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian Khaldoun Sino, vlerësoi se nga takimi i fundit i Bordit në nëntor të vitit të kaluar, janë disa zhvillime të rëndësishme që kanë ndodhur. Takimi i radhës i Bordit për Sundimin e Rendit dhe Ligjit do të mbahet në muajin prill. (LajmeShqip.com)