Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 16:07

Prishtinë – Paneli i gjykatësve të EULEX-it është duke shqyrtuar kërkesën e prokurorisë për zgjatjen e paraburgimit tetë të arrestuarve për krime të luftës një muaj më parë.

Prokuroria ka kërkuar zgjatje të masës së paraburgimit për 8 të arrestuarit një muaj më parë për krime lufte. Në këtë hetim përfshihet edhe nënkryetari dhe deputeti i PDK-së Fatmir Limaj çështja e imunitetit të së cilit akoma nuk është sqaruar.

Zëdhënësja e EULEX-it Irina Guduleviq ka thënë se  me datën 15 prill paneli i gjykatësve do të vendos  rreth masës së paraburgimit  të personave po hetohen në këtë rast.

“Prokuroria ka kërkuar zgjatje të paraburgimit. Megjithatë një panel prej 3 gjyqtarëve do të vendos rreth  kësaj  me datë 15 prill. Çështja e imunitetit të deputetit Limaj nuk është stopuar. Kjo gjithashtu është në procedurë të sqarimit . Por nuk mund të jap  komente shtesë rreth kësaj”, ka thënë Guduleviq.

Nën dyshimin për krime lufte me 16 mars  një prokuror i EULEX-it u kishte shqiptuar 6 personave masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Ndërsa 2 të tjerëve masën e arrestit shtëpiak. Ndërsa i nënti është ende në procedurë të ekstradimit nga Zvicra. Hetimi po zhvillohet  nën dyshimin se gjatë vitit 1998 këta persona  kanë  torturuar dhe vrarë civilë serbë e shqiptarë  në Kleçkë të Malishevës.