Lajme Shqip Monday, 12 September 2011 11:16

Prishtinë – EULEX-i i ka njoftuar zyrtarisht autoritetet e Beogradit se në veri të Kosovës nuk do të ketë kthim në gjendjen para 25 korrikut dhe se pas 16 shtatorit do të futet kontrolli doganor, i  cili deri më tash nuk ka ekzistuar në të gjitha vendkalimet. EULEX-i po ashtu ka paralajmëruar zyrtarët serbë se në vendkalimet kufitare do të jetë e pranishme edhe policia dhe doganierët e Kosovës.

Sipas Planit të EULEX-it dhe autoriteteve të Kosovës dogana do të vendoset në vendkalimin kufitar Bërnajk, ndërsa pika kufitare në Jarinjë do të jetë e hapur vetëm për kalimin e udhëtarëve.

Pas djegies së kësaj pike, më  26 korrik, nuk ka kushte teknike të cilat do të mundësonin kontrollimin e mallrave.

Ndërkaq, nëpër Bërnajk mund të kalojë edhe malli me akcizë, kurse kontrolli i plotë i mallit, që nënkupton jo vetëm sasinë, cilësinë dhe dokumentacionin përcjellës, por edhe shërbimet sanitare, inspektimin veterinar dhe të gjitha verifikimet e zakonshme doganore, do të futet gradualisht.

Mirëpo, zyrtarët serbë i kanë thënë  EULEX-it se kjo është e papranueshme dhe kanë paralajmëruar organizimin e protestave të reja.

Sipas tyre, për Serbinë është e papranueshme që në vendkalimet kufitare në veri në Kosovës të sistemohen edhe policët dhe doganierët e Kosovës. (LajmeShqip.com)