Lajme Shqip Saturday, 26 November 2011 13:11

Mitrovicë – Grupet kriminale në veri mund të sulmojnë KFOR-in, të vrasin policë dhe të vazhdojnë jetën të qeta. Përderisa i kanë barrikadat në rrugë, pjesëtarët e atyre grupeve nuk duhet të shqetësohen se do të arrestohen nga EULEX-i.

Misioni i BE-së e ka të pamundur kryerjen e ndonjë operacioni dhe si rezultat, hetimet qoftë për vrasjen e policit Enver Zymeri, qoftë për të dyja sulmet mbi KFOR-in po mbesin vetëm hetime. 25 raste të krimit të organizuar janë hetuar nga EULEX-i.

Por, edhe pse ekziston mbështetja nga të gjithë faktorët, përveç atyre që janë të dyshuar, asnjë arrestim nuk ka ndodhur. Zëdhënësja e EULEX-it, Francoise Lambert, ka thënë për “Kohën Ditore” se misioni e ka të vështirësuar lëvizjen.

“Për shkak të situatës aktuale në veri dhe të ndikimit të kësaj situate në kapacitetet e EULEX-it për të lëvizur lirshëm, misioni e ka shumë të vështirë të bëjë operacion edhe procedura të tjera për sundimin e ligjit, posaçërisht në Gjykatën e Qarkut  në Mitrovicë. Kjo duhet pasur në mendje sa herë që mendohet për arrestime”, ka thënë Lambert.

Sipas saj, më shumë se KFOR-i e EULEX-i këtë situatë po e vuan komuniteti që jeton atje, për shkak të izolimit dhe për shkak të vështirësimit të mundësisë që ata të mbrohen.

Presidenti serb, Boris Tadic, gjatë një ligjëratë në Londër, javë më parë, ka akuzuar EULEX-in për pamundësi. Ai i ka ftuar misionet ndërkombëtare në Kosovë që t`i arrestojnë të dyshuarit ose që nuk munden “t`ua lejojnë autoriteteve të Serbisë që ta bëjnë një gjë të tillë”.