Lajme Shqip Wednesday, 23 October 2013 12:00

Prishtinë- (E plotësuar)  Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, në përurimin e terminalit të ri të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ka thënë se Turqia do të jetë gjithmonë pranë popullit të Kosovës.

“Dua ta përgëzoj kryeministrin Hashim Thaçi, konsorciumin turko-francez dhe firmat e tjera që kanë dhënë kontribut në ndërtimin e këtij aeroporti”, ka thënë Erdogan. Ai ka treguar se çdoherë që vjen në Kosovë sheh përparime. “Çdoherë që vij në Kosovë shoh përparime. Shpresoj se Kosova do të ketë zhvillim më të hovshëm si shtet i pavarur. Turqia është një ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Turqia do të vazhdojë të japë kontribut për Kosovën. Ne kemi një histori të përbashkët me Kosovën”, është shprehur Erdogan. 

Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i ka dhënë mbështetje Kosovës në proceset integruese, euroatlantike. Po ashtu, Erdogan ka thënë se Turqia është e interesuar të bashkëpunojë edhe në fushën e sigurisë. “Turqia do të jetë gjithmonë pranë Kosovës dhe popullit të saj”, ka thënë Erdogan. Kryeministri turk ka thënë se firmat e Turqisë kanë investuar në Kosovë 385 milionë euro në fushën e tekstilit dhe rreth 800 milionë euro në ndërtimtari.

Në përurimin e terminalit të ri të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ka folur edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai ka thënë se ky aeroport nuk mund të kishte emër më të mirë sesa tani. “Nuk mund të kishte emër më të goditur për aeroportin e pas çlirimit të Kosovës sesa emri i njeriut që i dha krah me jetën e me vdekjen e tij ëndrrës së Kosovës së lirë, të pavarur, shtet evropian në mes të Evropës”, ka thënë Rama. 

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se ndihet krenar që miku i tij, Edi Rama, ishte i pari që zbriti në pistën e aeroportit evropian të Republikës së Kosovës. “Ndihem tepër mirë dhe krenar që sot miku im dhe kryeministri i Shqipërisë së bashku me Lindën ishte i pari që zbriti në pistën e aeroportit evropian të Republikës Kosovës. Gjithashtu, ndihem tepër mirë dhe krenar që sot jemi së bashku me njeriun i cili është ndër të parët në botë që e ka njohur Republikën e Kosovës. Mund t’ju them shumë hapur se kryeministri dhe miku Erdogan, një natë para se ta shpallnim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, më ka telefonuar duke më thënë se Turqia vendimin për njohje e ka gati”, ka thënë Thaçi, duke falënderuar kryeministrin turk dhe Turqinë për punën që janë duke bërë në favor të njohjeve të reja për Kosovën.

Edhe drejtori i terminalit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Bekim Jashari, u ka uruar mirëseardhje të gjithë të pranishmëve dhe e ka falënderuar kryeministrin e Kosovës dhe atë të Turqisë për përurimin e këtij terminali të ri. “Me lejoni që në emër të familjes Jashari t’ju uroj mirëseardhje dhe t’ju falënderoj për punën. Ju kryeministra ndihuni krenarë për këtë vepër që keni bërë”, ka thënë Bekim Jashari./epoka e re/ 

 

Erdogan në Prishtinë. Përuron terminalin e ri të aeroportit

 

Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, para pak qastesh ka arritur në airoportin nërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.

Në pritje të kryeministrit turk ka dalë edhe Njësia ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Erdogan është pritur nga kryeministir i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryeministri turk se bashku me atë të Kosovës dhe të Shqipërisë, Edi Rama bëjnë perurimin e terminalit të ri në Aeroportin “Adem Jashari” nga kompania “Limak Kosovo”.  /tribuna/