Lajme Shqip Tuesday, 26 July 2011 22:09

Prishtinë (Plotësuar 23:05) –Para pak minutave, në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Policia e Kosovës e ka konfirmuar lajmin për vdekjen e policit të Njësisë Speciale, Enver Zymberi, për të cilin kishte raportuar më herët Portali LajmeShqip.com.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka e ka konfirmuar vdekjen e anëtarit të njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberit, i lindur më 1979, baba i tre fëmijëve. Ai ka thënë se Enveri ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës prej vitit 2000, dhe ishte ndër gjeneratat e para.

Ndërsa, mjeku kujdestar, anestiziologu Agron Balaj, ka deklaruar se, megjithë përpjekjet maksimale të mjekëve, ka qenë i pamundur shpëtimi i jetës së Enverit, për shkak se plumbi e kishte goditur në pjesë të ndjeshme të kokës.

Ai ka thën se për shkak të ndjeshmërisë së plagës, ndërhyrja kirurgjike për heqjen e plumbit ka qenë e pamundur.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës nuk ka konfirmuar se me çfarë lloji të armës është vrarë polici Enver Zymberi. Ai ka thënë se kjo do të bëhet e ditur nesër, pasi të jetë bërë ekspertiza përkatëse.

Gjithashtu nuk është bërë e ditur se kur do të varroset polici i rënë në detyrë. (LajmeShqip.com)

***********************

Prishtinë – Burime të Portalit LajmeShqip.com bëjnë të ditur se ka ndërruar jetë pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, i plagosur nga një snajper serb gjatë operacionit në veri të Kosovës.

Enveri, i lindur në vitin 1979, nga një fshat në afërsi të Vushtrisë, ishte baba i tre fëmijëve dhe ishte pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në regjionin e Mitrovicës. (LajmeShqip.com)

Raportimin LIVE të Portalit LajmeShqip.com të zhvillimeve në Veri mund ta ndiqni në këtë link: https://www.lajmeshqip.com/kombetare/mitrovice-shperthim-i-fuqishem-te-tre-rrokaqiejt