Lajme Shqip Tuesday, 30 August 2011 13:56

Prishtinë – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ua ka dërguar një telegram urimi liderëve të 53 shteteve anëtare të Organizatës për Kooperim Islamik (OKI).

Ministri Hoxhaj ka përgëzuar përfaqësuesit e këtyre shteteve me shumicë të popullsisë myslimane për përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit. “Gjatë këtij muaji, besimtarët myslimanë kanë testuar dhe dëshmuar përkushtimin dhe angazhimin e tyre shpirtëror e fizik, duke rritur më tej dashurinë e ndërsjellë, paqen dhe solidaritetin”, thotë Hoxhaj në telegramin e urimit.

Ministri Hoxhaj thekson faktin se edhe në Kosovë, në shtetin e ri evropian me një popullsi shumicë myslimane, po festohet Fitër- Bajrami në liri dhe pavarësi.

“Për më shumë se tri vjet që kur kemi shpallur pavarësinë tonë, kemi arritur rezultate të dukshme në sferën e brendshme dhe të jashtme. Dhe, ne, llogarisim në mbështetjen tuaj, dhe gjithashtu besojmë se lidhjet e miqësisë dhe bashkëpunimit midis vendeve dhe popujve tanë vetëm se do të thellohen në vitet që vijnë”, thuhet në telegramin e ministrit Hoxhaj.