Lajme Shqip Friday, 08 July 2011 20:52

Prishtinë – Ministri kosovar i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, tha se midis çështjeve të hapura urgjente për Kosovën, është objektivi i heqjes së vizave për qytetarët e saj, në mënyrë që t’iu mundësohet lëvizja e lirë në zonën Shengen.

“Jemi një vend shumë i izoluar”, citohet Ministri, por duke shprehur besim në mundësinë e marrjes së shpejtë të udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, që do të bëjë të mundur arritjen e këtij objektivi në vitin 2012.

Në këtë aspekt, Hoxhaj shfaqi po ashtu bindjen e plotë në mbështetjen italiane për avancimin e proceseve integruese evropiane të Kosovës.

Gjatë vizitës në Itali, Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj dha një intervistë për Agjencinë Mesdhetare të Lajmeve, me seli në Romë, ANSAmed, njoftoi MPJ kosovare.

Ministri Hoxhaj foli për zhvillimet kryesore në Kosovë, perspektivat integruese, si dhe proceset e zhvillimit ekonomik.

Hoxhaj ka thënë se në 10 vjetët e ardhshëm të gjitha vendet ballkanike duhet të bëhen anëtare të BE-së, me qëllim që edhe vetë projekti i BE-së të kompletohet, por “edhe sepse bëhet fjalë për kombe të reja, që mund të kontribuojnë shumë në ekonominë evropiane”.

Bëhet e ditur se, pas përfundimit të vizitës në Itali, sot Ministri Hoxhaj i është bashkuar Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në Dubrovnik, në Samitin e Kroacisë, ku marrin pjesë përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe liderët shtetërorë të vendeve të rajonit.