Lajme Shqip Wednesday, 29 February 2012 19:00

Kongresisti amerikan Eliot Engel, në një deklaratë për shtyp, thekson se “e ardhmja e Kosovës, e Serbisë dhe e të gjitha vendeve të Ballkanit është brenda strukturave euro-atlantike, NATO-s dhe Bashkimit Evropian”.

Në deklaratën e tij të sotme, shpërndarë medieve nga zyra e tij, Eliot Engel thekson se marrëveshja Kosovë-Serbi ishte bërë e mundur vetëm pasi Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, janë siguruar se Serbia nuk do ta bllokojë Kosovën si një shtet i pavarur.

Kongresisti Engel, që është anëtar i Nënkomitetit për Evropën në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe kryesues i grupit për çështjet shqiptare në Kongres, ka shprehur kënaqësinë se nën marrëveshjen aktuale, Kosova në konferencat ndërkombëtare do të ulet në tavolinë me emrin e vet dhe e ka përgëzuar kryeministrin Hashim Thaçi dhe qeverinë e tij, për marrjen e vendimit të guximshëm dhe të vështirë për ta lëvizur procesin përpara.

Ai ka bëri të ditur gjithashtu se Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, ka meritë të lartë për garantimin se Republika e Kosovës, si një vend sovran, mbetet e sigurt gjatë negociatave dhe se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me miqtë e tyre në Ballkan dhe në mbarë botën.

Eliot Engel përshëndeti studimin e fizibilitetit për një Marrëveshje për Stabilizim Asocim për Kosovën.

Ai konsideron se duke filluar nga liberalizimi i vizave, anëtarësimi në BERZH e deri te Marrëveshja për Stabilizim Asocim, Bashkimi Evropian duhet të punojë fuqishëm dhe ta përfshirjë Kosovën sa më shpejt në strukturat evropiane dhe të sigurojë që Serbia të implementojë marrëveshjet, që i ka nënshkruar me Kosovën.