Lajme Shqip Saturday, 03 December 2011 13:17

Washington-Kongresmeni amerikan Eliot Engel ka deklaruar se ngjarjet e fundit në veri të Kosovës janë organizuar nga grupe kriminale serbe, të cilat sipas tij synojnë ndarjen e shtetit të ri. I cituar nga agjencia e lajmeve “INA”, Engel ka theksuar se Kosova do të mbetet 100 për qind e bashkuar dhe ka shtuar se territori i saj është i paprekshëm. “KFOR-i duhet të marrë masa për largimin sa më parë të barrikadave të krijuara nga grupet kriminale. Kosova nuk mund të jetë 100 për qind e plotë pa pjesën veriore.

Nuk ka Kosovë 90 për qind apo 10 për qind, Kosova është 100%”, ka deklaruar Engel. Kongresmeni demokrat ka folur më tej edhe për rrugën e kombit, të cilën e ka cilësuar si një projekt madhor që po hap kufijtë e shqiptarëve. “Kjo rrugë, e cila lidh dy vendet, po ndërtohet në një kohë kur Kosova dhe Shqipëria janë për hapjen e kufijve të tyre me vendet e tjera”, ka vlerësuar Engel. “Ndërsa në Serbi autoritetet po i mbyllin kufijtë e tyre, sic janë duke bërë bllokimin e rrugëve në veri të Mitrovicës. Por KFOR-i dhe misionet e tjera nuk do ta tolerojnë paligjshmërinë në kufi, as strukturat paralele dhe as shkeljen e ligjit, nga kushdoqoftë”, ka shtuar kongresmeni. Edhe muajin e kaluar Engel, i njohur ndryshe si avokati i pavarësisë së Kosovës, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të zgjidhë sa më shpejt situatën në veriun e shtetit të ri.