Lajme Shqip Friday, 10 February 2012 09:51

Prishtinë-Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, po vazhdon vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po zhvillon takime me përfaqësues të Kongresit amerikan.

Ministri Hoxhaj është takuar edhe me përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, në kuadër të lobimit permanent për të rritur numrin e njohjeve për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.

Gjatë vizitës në Washington, Ministri Hoxhaj ka zhvilluar takime të veçanta me disa kongresmenë amerikanë. Në takimin me kongresmenin Eliot Engel, Ministri Hoxhaj e ka falënderuar atë për mbështetjen e vazhdueshme që po i jep Kosovës në periudha të ndryshme kohore.

Nga ana e tij, kongresmeni Eliot Engel, ka thënë se do të angazhohet personalisht për të siguruar njohje të reja për Republikën e Kosovës. Ai ka bërë thirrje që sa më parë të shpërbëhen strukturat ilegale të shtetit serb në veri.

“Situata në veri të vendit për SHBA-në është e papranueshme dhe e patolerueshme”, ka shtuar kongresmeni Engel.

Ndërsa, kongresmeni amerikan Adam Smith siguroi se, SHBA-të do të vazhdojë të jetë prezente në Kosovë. “Ne mbështesim fuqishëm praninë e trupave ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë”, ka thënë kongresmeni Smith.

Ndërsa në takimin me kongresmenin Gary Peters, është folur për thellimin e marrëdhënieve bilaterale mes SHBA-ve dhe Republikës së Kosovës. Ministri Hoxhaj th se, mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën ka sjell siguri, paqe dhe stabilitet në rajon. (LajmeShqip.com)