Lajme Shqip Tuesday, 22 November 2011 12:25

Faturat e energjisë elektrike, veçanërisht në periudhën e ftohtë, janë “pjesa e luanit” e buxheteve të familjeve shqiptare. Shumica e popullit mundohet të mos e kalojë fashën e parë të tarifimit, deri në 300 kilovat faturohet me 7.5 lekë, ndërsa pas kësaj çmimi bëhet 13 lekë. Kur nuk kanë matës ata faturohen aforfe, sipas dëshirës, apo planeve të CEZ-it. Këto llogari nuk vlejnë për njerëzit e rëndësishëm të Shqipërisë, nga presidenti, deri te deputetët, të cilët kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar energjinë.

Por shtetarët të më të paguar në Shqipëri, që kanë disa shtëpi në pronësi, edhe paguajnë, por edhe janë debitorë ndaj kompanisë çeke të shpërndarjes së energjisë, ÇEZ.

“Shqiptarja.com” publikon në kryeartikullin e sotëm “Fatura e dritave, Fullani debitor, Berisha s’ka fare” të gazetarit Arben Rrozhani, një hulumtim të saj për faturat elektrike që paguajnë ose nuk paguajnë zyrtarët më të lartë në vend, nga kreu i shtetit, te ministrat dhe familjarët e tyre.

Kështu Fatmir Mediu është ministri me zero kilovat. Argita, ka shumë shtëpi, por harxhon pak. Vajza e kryeministrit raporton 0 kilovat për vilën në Gjirin e Lalzit, e po ashtu edhe Shkëlzeni, djali i kryeministrit për shtëpinë në Tiranë.

Ndërsa emri i vetë kryeministrit, Berisha, ish-kryeministri Fatos Nano, ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama dhe shumë të tjerë nuk figurojnë fare në regjistrat e CEZ – shpërndarje.

Guvernatori i bankës, Ardian Fullani rezulton se nuk ka për të paguar detyrimet e CEZ-it në vilën e tij në Malin e Robi.