Lajme Shqip Tuesday, 05 November 2013 17:58

Tiranë- Kryediplomati Ditmir Bushati pranon se autoritetet shqiptare kanë në tavolinë kërkesën e SHBA-së për shkatërrimin e armëve kimike siriane në territorin tonë. Sipas francezes “Le Monde”, ministri i Jashtëm Bushati deklaroi gjatë takimit me homologun e tij francez Laurent Fabius, se qeveria shqiptare po studion me kujdes kërkesën e bërë javën e kaluar nga SHBA, por nuk ka marrë ende asnjë vendim për këtë çështje. 

Sipas gazetës franceze, “Shqipëria është parë si vend i favorshëm për shkatërrimin e armëve kimike, për shkak të pozitës gjeografike, afërsisë së saj dhe lehtësisë së transportit. Përveç kësaj, Shqipëria ka një përvojë të veçantë në fushën e neutralizimit të arsenalit kimik. Në vitin 2007, ajo u bë vendi i parë që shkatërroi plotësisht arsenalin kimik të akumuluar nga diktatori Enver Hoxha.” 

Duke cituar drejtorin e Institutit Shqiptar të Çështjeve Ndërkombëtare, Albert Rakipi, “Le Monde” thekson se Shqipëria post-komuniste nuk ka qenë shumë dorështrënguar mbi çështjet e mjedisit. 

“Do të ishte krejtësisht e gabuar të pranonim sot armët kimike, pak pasi qeveria e re ndaloi importin e mbetjeve. Kjo do të krijonte konfuzion tek njerëzit. Për më tepër, shkatërrimi në Shqipëri i armëve kimike nuk është një mënyrë për të zhvilluar vendin.”- tha Rakipi. 

Mediat e huaja shkruanin ditët e fundit se Norvegjia, Belgjika dhe Shqipëria shihen si kandidate kryesore të përzgjedhura nga SHBA për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë. Por duket se Norvegjia e ka refuzuar këtë kërkesë, duke cituar kufizimet kohore dhe rregullat ndërkombëtare si pengesa për përfshirjen e saj. Departamenti Amerikan i Shtetit nuk ka pasur ende asnjë koment zyrtar mbi këtë çështje. 

Ndërsa deklarata e kryediplomatit Bushati, gjatë vizitës së tij në Paris, është reagimi i parë i autoriteteve shqiptare për këtë çështje. Por Shqipëria nuk e ka për herë të parë asgjësimin e armëve kimike, pasi në vitin 2007 u arrit me sukses eliminimi i të gjitha armëve kimike, më shumë se 16 tonë gaz mustard dhe agjente të tjerë toksikë. /ballkanweb/