Lajme Shqip Monday, 01 July 2013 20:26

Tiranë – Kur pritej çertifikimi i shpejtë i rezultatit zgjedhor të 23 qershorit, KQZ nuk ka miratuar ende asnjë tabelë përfundimtare për asnjë qark të vendit një javë pasi ka përfunduar proçesi. 
Në mbledhjen e radhës, ku në rendin e ditës ishte vendosur miratimi i projektvendimit të nxjerrjes së rezultatit zgjedhor të qarkut Kukës, Dibër, Korçë, Berat dhe Vlorë, u vendos shtyrja e tyre për 48 orë të tjera, raporton Top Channel. Vendimi i katër anëtarëve të institucionit më të lartë zgjedhor erdhi pas kërkesës së përfaqësuesve ligjorë të opozitës për më shumë kohë në ballafaqimin e tabelave të qarkut të Kukësit, ku mandati i katërt i këtij qarku është ndarë me një diferencë shumë të ngushtë votash dhe proçesi i hedhjes së të dhënave të ZAZ-së atje është shoqëruar me gabime. “Ka një pasaktësi të tabelës së administratës. Duam kohë për verifikim”, deklaroi përfaqësuesi i PS, Genc Gjonçaj. “Kërkuat njëherë shtyrje, nëse ka gabime deklarojeni në mbledhje, ta rregullojmë këtu me vendim”, u përgjigj komisioneri i PD, Njazi Kosovrasti.

E gjendur përballë kërkesës për një tjetër shtyrje të qarkut të Kukësit, KQZ shtyu në bllok vendimin për të gjitha qarqet e tjera, pavarësisht se tabelat e çdo qarku miratohen më vete.

“Të shtyjmë të gjitha qarqet? E hedhim për votim?”, propozoi kryetarja Lefteri Lleshi. “Pse i shtyn të gjitha? Ç’lidhje ka t’i shtysh të gjitha? Ç’argumentim keni që i shtyni”, replikoi përfaqësuesi i LSI-së, Ilirian Muho.

Kodi Zgjedhor parashikon një afat brenda 48 orëve të miratimit të rezultatit përfundimtar të çdo qarku, nga momenti kur në KQZ mbërrijnë të gjitha materialet zgjedhore të të gjitha ZAZ-ve të tij.

Marrë në konsideratë faktin se këto tabela ishin gati për mbledhjen e kësaj të hëne dhe shtyrja e tyre me 48 orë të tjera flet për tejkalim të këtij afati të Kodit Zgjedhor. /TCH/LSH/