Lajme Shqip Wednesday, 04 September 2013 13:18

Shkup – Kryetari i ri i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Muzafer Korkuti ka zbardhur prioritetin e tij lidhur me botimin e Enciklopedisë Shqiptare të njohur si Fjalori Enciklopedik Shqiptar në një vëllim. Ai në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” thekson se kjo enciklopedi do t`i jap përgjigje shtrembërimeve të Enciklopedisë maqedonase, sa i përket shqiptarëve. 

“Është domosdoshmëri! Ai do t’u japë përgjigje çështjeve themelore të historisë sonë. Them ‘në anglisht’, në mënyrë që fqinjët tani e tutje ta kenë të qartë prejardhjen e shqiptarëve. Duke e lexuar atë fjalor në gjuhën angleze, t’i kenë sa më të qarta problemet sa iu takon shqiptarëve dhe që t’u jepen shtrembërimeve që janë bërë, siç qe rasti i Enciklopedisë maqedonase”, ka theksuar akademik Korkuti, shkruan INA.
Botimi i kësaj enciklopedie ka nxitur qarqet akademike maqedonase, të cilët dje nuk kanë dhënë komente pas paralajmërimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për një enciklopedi të re në gjuhë angleze, dhe komenteve se ajo do ti jap përgjigje shtrembërimeve të enciklopedisë maqedonase, e cila kishte përmbajtje fyese dhe etiketuese kundër shqiptarëve.