Lajme Shqip Monday, 18 April 2011 17:56

Shkup – “Shqiptarët e Maqedonisë dhe sidomos ata të Shkupit jetojnë me keq se sa në vitin 1991, dhe fajtorë për gjendjen e tillë të tyre janë njerëzit të cilët morën mandate, dhanë premtime dhe më pas nga pozicioni i qeverisë i harruan këto premtime dhe i transferuan në interesa të tyre personale, klanore apo familjare”. Kështu është shprehur gjatë takimit me banorët e komunës së Çairit kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK), Rufi Osmani, duke aluduar në përfaqësuesit e BDI-së në pushtet. Osmani ka thënë se gjendjen aktuale në Çair e ka shumë të njohur pasi që, siç u shpreh, një gjendje të këtillë e ka parë për katër vite me radhë në qytetin e tij të lindjes, të cilin për dy vite e menaxhon.

“Kur shoh Çairin shoh se binomi i Gostivarit të para dy viteve vazhdon edhe më tutje të funksionojë në komunën tuaj për fat të keq. Sot ju në Çair ecni nëpër rrugë të pariparuara, përplot gropa. Sot Çairi vazhdon të jetë një vend ku ndërtohet në të egër me të madhe, sot Çairi vazhdon të jetë një komunë ku qeveria qendrore ka alokuar vetëm 500 mijë euro për rregullimin e sheshit ‘Skënderbeu’,  ndërsa në anën tjetër të Shkupit ka alokuar afro 200 milion euro për projektin ‘Shkupi 2014’, ka thënë Osmani para shkupjanëve. Partia e Rufi Osmanit në Shkup ka promovuar edhe koordinatorin e saj për qytetin e Shkupit, profesorin e UEJL-it, Rashit Emini. Emini ka thënë se midis të qëndruarit duarkryq anash dhe kritikimit të njerëzve që janë në pushtet, dhe të përvjelurit krahët në përpjekje për të ndryshuar gjendjen e rëndë në të cilën gjendet banorët e Çairit, ai ka zgjedhur këtë të dytën.

“Asnjëherë shqiptarët e Shkupit dhe Çairit nuk janë ndjerë më të ngushtuar dhe më të ngulfatur se që janë sot. Me ndarjen territoriale, banorëve të Çairit iu bë një padrejtësi e madhe. Nuk ka asnjë institucion shtetëror në brendinë e komunës së Çairit. Më e keqja është se e gjithë kjo u bë me miratimin e partisë që deri dje ishte në pushtet, BDI-së pa e pyetur fare popullin për mendim, i cili jeton në zemër të kryeqytetit por me kushte minimale për jetë”, ka thënë Rashit Emini.

Ndryshe, në tubimin promovues të RDK-së iu drejtuan akuza pushtetit lokal se ka mbyllur dyert e të gjitha institucioneve publike për partitë opozitare, dhe në disponim të tyre kanë lënë vetëm këtë objekt që ka hapësirë të pamjaftueshme për të zhvilluar aktivitete politike.