Lajme Shqip Thursday, 24 September 2015 14:50

Kërkesat për azil nga emigrantët nga Ballkani Perëndimor kryesisht refuzohen në Gjermani.

Në të ardhmen, shkruan DW, situata do të përkeqësohet dhe kthimet e detyruara do të bëhen edhe më të shpejta.

Më shumë se 40 për qind e të gjitha kërkesave për azil të paraqitura në Gjermani vijnë nga njerëz nga Ballkani Perëndimor, kryesisht prej emigrantëve nga Kosova, Shqipëria dhe Serbia. Zyra Federale për Migracion dhe Refugjatë (BAMF) është autoriteti i vetëm, që vendos, nëse këto kërkesa për azil pranohen. Rregullat për këtë i përcakton Konventa e Gjenevës, Kushtetuta dhe ligjet ekzistuese për procedurat e azilit. Ato janë forcuar në Gjermani vitet e fundit.

Vlerësimi i Ballkanit Perëndimor

Kështu Serbia, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina konsiderohen tani të ashtuquajtura “vende të sigurta të origjinës”, në të cilat sipas situatës aktuale ligjore nuk ekziston asnjë rrezik i persekutimit politik, apo i dhunës johumane dhe nuk mbizotërojnë rrethana, që të pengonin kthimin e azilkërkuesve në këto vende. Sipas planeve të qeverisë gjermane statusin vendi i sigurt origjine do ta marrë edhe Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi. Këto vende kërkojnë bashkëpunimin me BE¬në dhe sipas ministrit të Jashtëm, Frank¬Walter Steinmeier, është e vështirë të trajtohen si shtete, që persekutojnë shtetasit. Përveç kësaj këto vende kanë kërkuar vetë në konferencën e Ballkanit Perëndimor në gusht nga qeveria gjermane, që të klasifikohen si vende të sigurta origjine. Arsyeja: me valën e fundit të refugjatëve këto shtete humbasin shumë të rinj, kryesisht për motive ekonomike.

Arsyet e refuzimit

Varfëria apo pakënaqësia politike në bazë të Konventës së Gjenevës për Refugjatët nuk vlejnë si arsye për azil. Por emigrantët nga Ballkani Perëndimor shpesh nuk mund të parashtrojnë arsye të tjera të besueshme për të kërkuar azil, shpjegon BAMF. Kështu shumica e kërkesave refuzohen si “të pabaza”. Gjykatat administrative nuk kanë hapësirë veprimi as në rastet e ankimeve kundër vendimeve. Për këtë arsye kuotat e njohjes së azilit për emigrantët nga shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të papërfillshme në krahasim me aplikimet e miratuara për azil nga refugjatët, që vijnë nga vendet e tjera.

Pak arsye për shpresë

Edhe pse organizatat për të drejtat e njeriut dhe të refugjatëve theksojnë vazhdimisht persekutimin e romëve në shumë vende të Ballkanit, numri i procedurave të azilit të refuzuara tregon se ky grup tek vendimmarrësit në Gjermani në shumicën e rasteve rrallë vlerësohet si i kërcënuar.

Alexander Thal nga Këshilli i Refugjatëve në Bavari supozon se presioni politik për shkak të numrit të madh të refugjatëve është aq i madh, saqë kërkesat nuk shqyrtohen më vërtetë thellësisht. Për këtë flasin atdhesimet, që kryhen, megjithëse në mesin e tyre ka raste të vështira sociale ende në shqyrtim. Rezistencë e madhe nga opozita politike nuk duhet të pritet. Edhe kryeministri i një landi nga partia e të Gjelbërve i mbështeti ndryshimet e fundit në ligjin për azilin.

Masa të mëtejshme

Zyra Federale për Migracion dhe Refugjatë po e intensifikon punën. Forca të specializuara po fokusohen në shqyrtimin e të gjitha kërkesave për azil nga Ballkani Perëndimor. 1000 punonjës shtesë i janë premtuar BAMF-së nga Ministria e Punëve të Brendshme. Landi i Bavarisë ka ngritur tashmë kampe pranimi vetëm për azilkërkuesit nga Ballkani Perëndimor, në Manching dhe në Bamberg. Azilkërkuesit nga Ballkani Perëndimor mbeten aty dhe nuk shpërndahen në komuna.

Avantazhet e këtyre kampeve i përshkruan një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme bavareze: “Ne i kemi rrugët të shkurtra”. Azilkërkuesit mund t’i gjesh dhe mund të flasësh me to menjëherë, vendimmarrësit ndodhen aty në vend. Në kampe azilkërkuesit do të furnizohen kryesisht me përfitime në natyrë, atyre nuk do t’u jepen të holla. Paratë e xhepit do t’u paguhen vetëm për kohëzgjatjen e qëndrimit në kamp. Kjo kohë po shkurtohet tani. Sipas zëdhënësit koha e shqyrtimit prej datës së kërkesës për azil deri në komunikimin e një vendimi të padiskutueshëm është reduktuar në katër deri në gjashtë javë.

Shpeshtohen dëbimet

Kthimi me detyrim i emigrantëve të refuzuar nga Ballkani Perëndimor bëhet me avionë disa herë gjatë javës. Të kthyerit rrezikohen që të paguajnë vetë të gjitha shpenzimet e fluturimit. Kjo gjë ka ndodhur tashmë shpesh, shpjegon zëdhënësi. Për më tepër që nga 1 gushti ekziston mundësia që azilkërkuesve t’u jepet ndalim rihyrjeje dhe ndalim qëndrimi në të gjithë zonën Shengen. Si rezultat i të gjitha këtyre masave dhe i sinjaleve të qarta politike, numri i të ardhurve të rinj nga Ballkani Perëndimor po bie në mënyrë të konsiderueshme.