Lajme Shqip Tuesday, 21 August 2012 17:57

Tiranë – Partia Socialiste reagoi të martën lidhur me emërimin e ish-shefit të Shërbimit Informativ Ushtarak, Ylli Zyla, në krye të Policisë Ushtarake.

Në një deklaratë për shtyp, deputeti i PS-së, Taulant Balla, akuzoi Kryeministrin Berisha se po vendos nën komandën e tij institucione të rëndësishme të drejtësisë, sigurisë dhe inteligjencës.

“Çdo ditë që po kalon shqiptarët po shohin se si Berisha po vendos nën komandën e tij institucione shumë të rëndësishme të drejtësisë, sigurisë dhe inteligjencës”, tha deputeti Balla duke iu referuar shkarkimit të Bahri Shaqirit nga posti i drejtorit të SHISH, emërimit të Elvis Çefën si nënkryetar i KLD-së dhe emërimit të Ylli Zylës në krye të policisë ushtarake.

Balla gjithashtu i kërkoi Kryeministrit Berisha të përgjigjet publikisht për lidhjet e tij me trafikun e armëve si dhe për të gjithë urdhrat e dhënë për blerjen dhe vënien në punë të pajisjeve të përgjimit në ministrinë e Mbrojtjes.

“Sot më shumë se kurrë Shqipërisë i nevojitet një rilindje kombëtare që do t`i kthejë institucioneve pavarësinë dhe qytetarëve një shtet ligjor të drejtë, ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit”, deklaroi Balla. (LajmeShqip.com)