Lajme Shqip Tuesday, 15 November 2011 20:45

Tiranë – Qyteti i Tiranës paraqet një problematikë komplekse lidhur me transportin publik dhe privat në përgjithësi, si pasojë e rritjes së madhe demografike, numrit të automjeteve në qarkullim dhe gjendjes së infrastrukturës rrugore.

Problemet e konstatuara janë renditur nga Bashkia e Tiranës në planin e emergjencës.

Sipas studimit të kryer për këtë qëllim, periudha e deritanishme në fushën e transportit është karakterizuar nga një zhvillim kaotik dhe i papërcaktuar i lëvizjeve të personave dhe mallrave.

Rritja në vazhdimësi nga viti në vit e numrit të automjeteve në qarkullim, solli domosdoshmërinë e rehabilitimit dhe zgjerimit të rrjetit rrugor urban të Qytetit, në të cilin po punohet sipas një plani prognozë ekonomiko-financiar dhe aplikativ.

Qarkullimi masiv i automjeteve në Tiranë ka ndikuar negativisht duke rënduar situatën e trafikut, e për rrjedhojë, rritjen e nivelit të ndotjes së ambientit. Ndërkohë që zhvillimi i transportit dhe i sektorit të shërbimeve ka çuar në një rritje të konsiderueshme të harxhimit të energjisë mbi bazën e përdorimit të lëndëve të djegshme si naftë, benzinë, vajguri.

Nga vëzhgimi i vazhdueshëm mbi gjithë rrjetin rrugor të qytetit të Tiranës, vihet re një mbingarkesë trafiku përgjatë të gjithë ditëve të javës, veçanërisht në ditët e hëna dhe të premte, për efekt të fluksit të automjeteve të rretheve të tjera që hyjnë e dalin rregullisht gjatë ditës në qytet.

Transporti urban ka probleme për shkak të mungesës së korsive të veçanta për mjetet e shërbimit urban, duke sjellë vonesa gjatë lëvizjes për kryerjen e ciklit të plotë dhe komod për transportuesit, sidomos në oraret e pikut.

Rrjeti i ri rrugor i ndërtuar merr parasysh formimin e një korsie në dispozicion të plotë për transportin publik urban, por mungesa e vendeve të parkimit, e cila ndikon drejtpërdrejtë në ecurinë e zhvillimit të zonave tregtare në gjithë rrjetin rrugor kryesor qoftë mbitokësore apo nëntokësore, e bën të pamundur realizimin e saj. Nga përvoja e vëndeve të tjera ekzistojnë koefiçentë, që llogarisin sasinë e sipërfaqes së nevojshme për parkim në funksion të sipërfaqes totale të ndërtimit.

Në qytetin e Tiranës transporti zhvillohet në: transport qytetës, që përfshin transportin brenda vijave kufizuese të qytetit, transport ndërqytetës, transport rreth qytetës, që përfshin lidhjen qendër-qytet dhe fshatra, transporti i lirë taksi. Transporti qytetës përbëhet nga 11 linja me itinerar të përcaktuar dhe që nuk ndërthuren me njëra tjetrën. Në këto linja me rreth 250 autobuzë, me një koeficient gatishmërie 70% -75 %, realizohet një lëvizshmëri teorike 2 – 3 min. Stacionet janë të vendosur në një distancë 250 deri 300 m larg nga njeri tjetri.

Shërbimi i transportit është i subvencionueshëm nga ana e buxhetit të shtetit, sepse çmimi i shërbimit është çmim tavan i miratuar nga Këshilli i Ministrave. Ka abonime mujore me diferencë të theksuar të çmimit dhe ka disa kategori që përfitojnë udhëtimin falas ose të reduktuar. Këto të fundit aplikohen në mbështetje të ligjit “Për statusin e invalidit?, të ligjit “Për veteranët e luftës kundër pushtuesve nazi fashistë”, “Për të verbërit” dhe të ligjit ” Për jetimët “, të cilët klasifikojnë kategoritë e ndryshme të qytetarëve që përfitojnë udhëtimin falas.

Subvencionimi realizohet në mbështetje të Udhëzimit “Për kriteret dhe proçedurat e subvencionit të shërbimit të transportit urban”, ku përcaktohen kriteret dhe procedurat për dhënien e subvencioneve nga buxheti i Shtetit për Shërbimin e Transportit Urban të udhëtarëve me autobuz.

-Problemet e konstatuara

Aktualisht sipas legjislacionit në fuqi përfitojnë udhëtim falas disa kategori qytetarësh si: veteranët, invalidët, fëmijët, etj. Në kohën e miratimit të këtij legjislacioni rregullues, organet përkatëse shtetërore kanë patur parasysh, shërbimin e transportit të udhëtarëve brenda qytetit, i cili kryhej nga i vetmi operator shtetëror ekzistues, Parku i Transportit Urban të Udhëtarëve. Qënia e një operatori të vetëm dhe shtetëror nuk krijonte probleme të rimbursimit të shpenzimeve të kryera falas në transportin e kategorive të mësipërme. Në kushtet aktuale, në të cilat shërbimi i mësipërm ka evoluar me angazhimin e operatorëve privat, ky detyrim ligjor për transport falas, duhet rishikuar dhe saktësuar.

Sipas Bashkisë, ka probleme me dëshmitë e lëshuara nga ana e shoqatave të invalidëve, Organizatat e Veteranëve, Organizatat e pasardhësve të veteranëve, në të cilat nuk dallohet nëse janë për invalidë lufte a pune, veteranë lufte a pune, nëse janë invalidë dhe kujt grupi i përkasin dhe a përfitojnë udhëtim falas për vehte apo shoqëruesi i tyre. Kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese, pasi shumë prej tyre kryejnë shumë udhëtime në ditë dhe nuk dallohen për invalidë ose veteranë.

Nuk ka një udhëzim të saktë se si do të kryhet shpërndarja e Kartelës së Pajtimit (abone) e qytetarit dhe e studentit. Ka mospërputhje ndërmjet masës së planifikuar për subvencionin (pjesën shtetërore)dhe kërkesës së qytetarëve për kartela pajtimi. Cilët duhet të jenë kategoritë e qytetarëve, që duhet të përfitojnë subvencion dhe përkatësisht kartelë pajtimi? Si do jetë forma e saj, nëse duhet të jenë me orare ose jo? Gjithashtu në paragrafin e fundit të vendimit “Për ndryshimin e tarifave të transportit qytetës të udhëtarëve”, citohet se “Bashkitë në vartësi të masës dhe të mënyrës së subvencionit, përcaktojnë numrin dhe mënyrën e shpërndarjes së biletave të pajtimit mujor”. Me qëllim zbatimin e saj, Bashkitë duhet të kenë në dispozicion udhëzimet për masën e subvencionit dhe mënyrën e subvencionit, me qëllim që, në mbështetje të tyre, të përcaktojnë numrin dhe mënyrën e shpërndarjes së biletave e kartelave të pajtimit.

Ndryshimet e vazhdueshme të çmimeve të tregut, kanë sjellë domosdoshmërisht nevojën e rishikimit të çmimit të biletës për çdo vajtje ose kthim dhe të çmimit të abonesë së qytetarit dhe studentit. Pra, sipas Bashkisë, nuk mund të jetë më V.K.M, por duhet të jetë vendim i këshillit Bashkiak të Qytetit.

Shqipëria ka aktualisht rreth 250 mijë automjete, ku më se 150 mijë janë autovetura, rreth 55-60 mijë kamiona dhe afërsisht 25 mijë autobuzë. Duke iu referuar statistikave të vendeve të BE-së, si vlerë mesatare përdorimi rezulton 1 automjet/2-3 banorë, ndërsa në vendin tonë kjo vlerë rezulton rreth 1 automjet/10 banorë. Pra, në 1 km2 të sipërfaqeve tona urbane qarkullojnë rreth 5 herë më pak automjete se në qytetet e BE-së. Përveç mjeteve të regjistruara në Tiranë, llogariten dhe rreth 10 % të automjeteve në shkallë vendi (10-15 mijë), që hyjnë çdo ditë në qytet. Numri i automjeteve në Tiranë, të cilat kryesisht i përkasin një viti prodhimi më të largët se 10 vjeçari i fundit, është rreth 100 mijë.