Lajme Shqip Tuesday, 09 August 2011 13:55

Tiranë – Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, priti të martën aktoren e mirënjohur shqiptare të Hollivudit, Eliza Dushku, e cila prej disa ditësh po zhvillon një vizitë në vendin tonë për promovimin e turizmit shqiptar.

Të pranishëm në takim ishin gjithashtu, fotografi me famë botërore, Fadil Berisha dhe aktori Blerim Destani.

Presidenti vlerësoi lart veprimtarinë artistike të Eliza Dushkut, si një ndër aktoret e reja të spikatura të kinematografisë botërore.

Në këtë kontekst, Topi vuri në dukje se vizita e Dushkut në Shqipëri është pjesë e atij mesazhi pozitiv që flet për Shqipërinë dhe shqiptarët si një popull vital, me tradita të hershme e kulturë të lashtë, me dëshirën dhe përkushtimin për të ecur përpara me vendosmëri e dinjitet.

“Ju jeni tashmë imazhi i mirë i shqiptarëve që punoni për Shqipërinë”, iu drejtua Presidenti të pranishmëve në këtë takim.

“Janë pikërisht këto arsye që me t’u informuar për kërkesën e Dushkut për marrjen e shtetësisë shqiptare, në përmbushje të një detyrimi institucional, por në radhë të parë, të një frymëzimi personal, nënshkrova dekretin për dhënien e shtetësisë shqiptare Eliza Dushkut”, u shpreh Bamir Topi.

Në vijim, Presidenti i Republikës i dorëzoi dekretin presidencial aktores së mirënjohur shqiptare të Hollivudit, e cila nga ana e saj shprehu falënderim dhe mirënjohje për pritjen nga Presidenti Topi dhe në mënyrë të veçantë nënvizoi kënaqësinë e veçantë për këtë nderim nga ana e Kryetarit të Shtetit Shqiptar.