Lajme Shqip Wednesday, 30 November 2011 18:00

Elbasan – Elbasani mes luginës së Shkumbinit plot ujë, “kërcënohet” nga etja. Alarmin për mungesën e ujit të pijshëm e jep vetë kreu i ujësjellësit të këtij qyteti, Ardjan Zhidro. Në një komunikim për mediat, ai tha se “thatësira e tejzgjatur thuajse për më shumë se katër muaj, ka shkaktuar tharjen e burimeve të ujit të pijshëm në qytetin e Elbasanit”. Situata në fjalë rrezikon të lërë pa ujë të pijshëm më shumë se 140 mijë banorë të qytetit. Zhidro u bën thirrje konsumatorëve të kursejnë ujin e pijshëm, ndërsa ka shtuar se ndërrmarja do të ndërpresë me orë të tejzgjatura furnizimin me ujë jo vetëm për konsumatorët, por edhe për administratat publike, qendrat shëndetësore, spitalet, shkollat, çerdhet, etj.

Nga ana teknike, ka shpjeguar në detaje thatësirën  në të cilën ndodhen puset e ujit në afërsi të brigjeve të lumit të Shkumbinit si dhe depot grumbulluese në kodrën e Krastës, shefi  i Sektorit të Prodhimit, Dashamir Cela. Sipas tij, “nivelet janë nën kuotat e lejueshme, ku po punohet vetëm  me gjysmën e kapacitetit dhe situata është alarmante. Nga 6 metra që ka qenë niveli i ujit në puse, për momentin pusi ka një metër e gjysmë ujë”, thotë Cela. Sipas tij, “para pak kohësh ndërmarrja ka punuar me 2 pompa uji, me afërsisht 900 m3 ujë në orë, ndërsa tani punohet vetëm me një pompë me 450 m3 në orë, ose me gjysmën e sasisë”.

Ndërsa situata kritike me të cilën motivohet Ujësjellësi për ndërprerjen e gjatë të furnizimit relativisht është e pranueshme, mbetet e pamotivuar mungesa e puseve të reja. Aktualisht shfrytëzohen vetëm  puset e hapura nga specialistët gjermanë para pak vitesh, ndërsa ato ekzistues janë mbyllur.