Lajme Shqip Saturday, 03 December 2011 14:45

Elbasan – Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve në Elbasan bën të ditur se për shkak të investimeve të bëra për përmirësimin e infrastrukturës në rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve, pas vendimit të marrë ditët e fundit nga kjo ndërmarrje, në fillim të vitit të ardhshëm 2012, do të ketë rritje të çmimit të ujit të pijshëm.

Drejtori i Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve në Elbasan, Ardian Zhidro deklaron se “kjo kërkesë vjen për shkak të investimeve të realizuara gjatë këtij viti, si dhe pritja e investimeve të tjera që do të bëhen në vijim nga kjo ndërmarrje”.

Një tjetër  arsye për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm, Zhidro thotë se është edhe rritja e kostos së prodhimit të ujit, ndërkohë që edhe gjendja në të cilën ndodhet ndërmarrja dhe rrjeti i shpërndarjes së Ujësjellësit, apo Kanalizimeve të Zeza, ai thotë se ka nevojë për ndërhyrje për shkak të amortizimit të tyre.

Aktualisht, konsumatori familjar në Elbasan e paguan 46.3 lekë një metër kub ujë dhe nëse rritja do të miratohet, do të duhet të paguajë 51.3 lekë, bashkë me kanalizimet.

Vetëm dy ditë më parë Zhidro deklaroi se, ” në muajin dhjetor e në vijim, për shkak të thatësirës, do të ketë ndërprerje të ujit të pijshëm jo vetëm tek konsumatorët, por edhe tek administratat publike, qendrat shëndetësore, spitalet, shkollat, etj.