Lajme Shqip Thursday, 19 May 2011 19:24

Elbasan – Universitetet “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan dhe ai  Shtetëror i Tetovës në Maqedoni nënshkruan sot një marrëvëshje bashkëpunimi 5-vjeçare mes tyre, e cila parashikon bashkëpunim reciprok në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës dhe ka si synim unifikimin mes universiteteve shqiptare për t’i paraprirë standarteve bashkëkohore dhe integrimit me universitetet Evropiane.

Rektori i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Liman Varoshi, deklaroi se universiteti i Elbasanit është më i hershmi në shkallë vendi dhe zë fill me Normalen e Elbasanit, që ka dhënë kontribute të paçmuara në përhapjen e gjuhës shqipe, dijeve dhe kulturës kombëtare.

Ai shtoi se “bashkëpunimi mes dy universiteteve do të shtrihet në nivel profesorati, dekanati e rektorati, si dhe në të tre nivelet e studimit, në bachelor, master dhe doktoraturë, në fushat kërkimeve shkencore, konferencave shkencore duke lehtësuar mobilitetin e studentëve të trojeve shqiptare, ndërsa bashkëpunimi më i madh dhe më i frytshëm pritet të jetë ai në fushën e Ballkanologjisë”.

Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Agron Reka vlerësoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit mes dy universiteteve, duke e quajtur “të vonuar. pasi aktualisht Universiteti i Tetovës ka marredhënie me një sërë universitetesh në rajon e më gjerë”.