Lajme Shqip Monday, 07 November 2011 17:00

Elbasan – Bashkia e qytetit të Elbasanit është e para në rang vendi që ka hartuar një projekt vullnetar, i cili konsiston me përmirësimin dhe zbukurimin e qytetit nga pikëpamja mjedisore.  Në këtë kuadër, kreu i Bashkisë Qazim Sejdini ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e OJF-ve të ndryshme që operojnë në qytet, me qëllim që këta të fundit të japin ndihmën e tyre në këtë projekt, i cili ka si qëllim kthimin e traditës.

Sipas Sejdinit, “qëllimi i këtij takimi me aktorët e OJF-ve është se duke shfrytëzuar traditën e hershme mjaft e zhvilluar në qytet vite më parë, ta ringrejmë atë, duke parashikuar që të vazhdojë në çdo muaj në qytet”.
“Traditat duhet te ripërtërihen, ato kërkojnë riorganizim dhe shpresoj se komuniteti i qytetit do të na përkrahë në këtë iniciativë, pasi bëhet fjalë për një higjienë dhe një mjedis më të pastër në qytetin tonë”, theksoi Sejdini.

Kjo traditë vazhdon të ruhet, por pjesërisht në qytetin e Elbasanit.  Janë vetëm amvisat e lagjes “Kala” qe çdo mëngjes dalin dhe pasi pastrojnë oborrin e shtëpisë së tyre, lajnë edhe rrugicën ku ato kalojnë çdo ditë. Ndërsa rreth 15 vjet më parë, në mënyrë vullnetare të gjithë banorët dilnin çdo ditë diele dhe pastronin rrugën ku ato banojnë. Është ky motivi që kreu i Bashkisë Sejdini kërkon të realizojë këtë projekt, i cili do të vihet në zbatim në datën 5 Dhjetor, si Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit.

Projekti në fjalë u mirëprit nga drejtues të OJF-ve si edhe u ngrit një grup pune me qëllim një qytet të pastër, me gjelbërim dhe pa ndotje.