Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 06:56

Elbasan – Partia Socialiste çeli mbrëmë fushatën elektorale në qytetin e Elbasanit, ku u prezantua kandidati i “Alencës për të ardhmen”, Qazim Sejdini.

Kreu i PS, Edi Rama, iu ka bërë thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të kësaj partie që të votojnë kandidatin Sejdini, pasi, sipas tij, rikandidimi i tij në këtë post është rruga e vetme për Elbasanin. “Aleanca e së ardhmes” është e vetmja rrugë për çdo qytetar e qytetare të këtij qyteti”, tha Rama. Ndërsa u ndal në disa nga investimet e kryera në qytet nga kryetari aktual i Bashkisë, Sejdini, Rama tha se “ndriçimi, shtëtitorja para kalasë, këndet e lojrave, gjelbërimi, janë një realitet, me këto investime Elbasani ka dalë në dritë, mbi gërmadhat e djeshme”.

Sipas tij, “Aleanca për të ardhmen” është e vetmja rrugë e sigurtë drejt së ardhmes, ndërsa rruga e Partisë Demokratike dhe e koalicionit të saj është e ushtrimit të paligjshëm të forcës së babëzisë, të cilët i bën kundërshtarët tanë të papërmbajtshëm”. “Rruga jonë të çon në dritë në punë të bukura, rruga jonë të çon në evropianizëm, në zhvillim ekonomik. Rruga e tyre nuk ka të ardhme”, theksoi Rama.

Në vijim të fjalës së tij, Rama prezantoi kandidatët per kryetarë te komunave të rrethit të Elbasanit, ndërsa ka përshëndetur rikthimin e ish- deputetit Bukurosh Stafa në PS.

Rama ka parashtruar një sërë projektesh të PS si, shërbim shëndetësor më dinjitoz, siguri në rrugë e në punë, etj, duke theksuar se “e vetmja rrugë për t’i bërë këto kërkesa elementare ne realitet jemi ne, ‘Aleanca për të ardhmen'”.