Lajme Shqip Sunday, 10 July 2011 19:44

Elbasan – Shërbimet e Policisë Rrugore në Elbasan, kanë bllokuar gjatë një aksioni rutinë, ndërmarrë gjatë ditës së dielë, të paktën shtatë motoçikleta që qarkullonin në qytet pa targa dhe dokumentacionet përkatëse.

Zëdhënësja e Policisë, Valbona Begu, tha për ATSH se, “shërbimet e Policisë rrugore kanë ushtruar gjatë ditës së sotme një aksion të shoqëruar me kontrolle të rrepta në akset kryesore të qytetit, për të ndaluar përdorimin e motoçikletave pa targa si dhe të atyre që i përdorin ato pa kaskën mbrojtëse”.

Sipas Begut, “drejtuesit e këtyre mjeteve, pjesa më e madhe adoleshentë, krahas rrezikut të aksidenteve të mundshme që shkaktojnë në rrugë, janë ndëshkuar edhe me gjoba” .

Aksioni, i cili ka zgjatur rreth tre orë, ka bërë të mundur bllokimin e motoçikletave si dhe vendosjen e dhjetra gjobave për mospërdorim të kaskave mbrojtëse.

Sipas Begut, aksioni i policisë rrugore të Elbasanit, do të vazhdojë me kontrolle të kësaj natyre edhe në tri nënprefektuarat e këtij qarku, pasi, sipas statistikave, mësohet se pjesa më e madhe e aksidenteve të ndodhura në qark ka ardhur si pasojë e qarkullimit të motoçikletave nga drejtuesit amatorë.