Lajme Shqip Saturday, 23 April 2011 13:40

Elbasan – Fondacioni për Liri Ekonomike, në bashkëpunim me Këshillin e Qarkut, Prefekturën si edhe universitetin “Aleksandër Xhuvani”, zhvilluan të shtunën një konferencë me temë “Zhvillimi i qëndrueshëm Rajonal, Elbasani pas projektit të Autostradës dhe Tunelit”.

Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, në fjalën e tij e vuri theksin tek realizimi i projektit madhor të qeverisë shqiptare, siç është rruga me tunel Elbasan-Tiranë.

“Investimi në këtë rrugë, i cili pritet të nisë në fund të këtij muaji, është një nga arritjet më të mëdha të qeverisë shqiptare, i cili do të nxisë dhe zhvillojë së tepërmi jo vetëm kryeqendrën e Shqipërisë së Mesme, por të gjithë rajonin e Shqipërisë juglindore”, tha Olldashi.

Rruga Elbasan- Tiranë me tunel do të ketë një gjatësi prej 26 km, nga 55 km që është aktualisht. Ajo do të ndërtohet në kushte teknike për t`u përshkruar me një shpejtësi sa trefishi i asaj që është i lejuar aktualisht në këtë segment.

Ndërtimi i rrugës është ndarë në tre segmente. Segmenti rrugor nr. 1, me gjatësi 13 km, fillon nga unaza e Tiranës deri në hyrjen e tunelit. Segmenti nr. 2, përfshin ndërtimin e dy tuneleve të ndarë dhe me dy drejtime të lëvizjes, me gjatësi secila prej 2.1 km dhe 2.3 km dhe gjatësi mesatare prej 2.2 km. Segmenti rrugor nr. 3, i cili ka gjatësi 10.8 km, fillon në daljen e tuneleve në Km 15 + 200 dhe përfundon në km 26 + 000, në hyrje të qytetit të Elbasanit. Vlera totale e ndërtimit llogaritet në 400 milionë dollarë.

Sipas Olldashit. “ky projekt do të realizohet në një periudhë 18-24 mujore dhe do ta kthejë distancën midis Tiranës dhe Elbasanit në vetëm 15 minuta kohë”.

Ndërkaq, sipas Olldashit, së afërmi pritet që të realizohet shpërthimi i parë në Qafë Krrabë për fillimin e punimeve për ndërtimin e tunelit të autostradës Elbasan-Tiranë.

Në këtë konferencë doli në pah fakti se qarkullimi i mallrave në këtë aks rrugor do të jetë i jashtëzakonshëm, duke rritur kështu ekonominë e qytetit, si edhe punësimin.