Lajme Shqip Tuesday, 26 April 2011 07:00

Elbasan – Në pozicionin e kryetarit të Këshillit të Qarkut Elbasan, Bledi Himçi, publikoi sot fakte lidhur me shpërdorimin e fondeve nga bashkia e Elbasanit, të cilat ishin akorduar nga qeveria për fushën e grumbullimit të plehrave.

Në një konferencë për shtyp, Himçi i kërkoj llogari kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini, se ku shkuan 250 milionë lekët që Qeveria i dha për fushën e grumbullimit të plehrave.

Duke e konsideruar si një problem shqetësues, kreu i këshillit të Qarkut shpalosi edhe projektin për landfillin në dampën e Paprit, i cili sipas tij, është në pronë të Këshillit të Qarkut.

Duke publikuar vendimet e marra nga qeveritë socialiste, Himçi vërtetoi se Këshilli i Qarkut është pronar i dampës së Paprit, duke akuzuar se Bashkia Elbasan nuk ka mbajtur premtimin e fushatës së kaluar.

“Kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini, pati premtuar se për 6 muaj do të zgjidhte problemin e mbylljes së çështjes së fushës së plehrave si dhe ngritjen e një landfilli, gjë që edhe sot në 2011, pas 4 vitesh, çështja mbetet ende e pazgjidhur. Kjo për fajin kryesor të bashkisë Elbasan, dhe të kryetarit të saj, i cili nuk arriti asnjëherë të ishte bashkëpunues me institucionin e Këshillit të Qarkut, por as edhe me Qeverinë”, theksoi Himçi.

Më tej Himçi publikoi edhe një sërë dokumentash se përse Këshilli i Qarkut është bërë pronar i Dampës së Parrit, rreth 15 kilometra larg Elbasanit, që sipas tij, “mbajnë firmën e ish- kryeministrit Pandeli Majko, i cili në atë kohë caktoi si vend depozitimi dhe vend grumbullim të mbetjeve urbane dampën e Paprit”.

Gjithashtu, Bledi Himçi ka nxjerrë edhe një të vërtetë në lidhje me firmën belge ‘Proge- tec’, që është ngritur nga bashkia Elbasan si bashkëpunim për ndërtimin e landfillit, firmë e cila ka propozuar dampën e Paprrit, dhe jo atë të ish- Metalurgjisë, që kërkon Sejdini.

“Kjo kokëfortësi e kryetarit Sejdini nuk duhet të paguhet me koston e të gjithë qytetarëve të Elbasanit, që ndoten çdo ditë nga tymi i djegies së plehrave”, u shpreh ai.

Himçi bëri të ditur se “Qeveria ka qenë bashkëpunuese dhe ministri Sokol Olldashi i miratoi Bashkisë një vlerë prej 250 milion lekësh të vjetra për bërjen e projektit për ngritjen e një landfilli, para që nuk janë shpenzuar asnjëherë për mbylljen e fushës së plehrave dhe për projektin e landfillit”.