Lajme Shqip Tuesday, 22 November 2011 11:15

Elbasan – Një aksident me pasojë plagosjen e tre efektivave të Policisë, si edhe të një shtetasi tjetër, ka ndodhur rreth orës 21.30 të mbrëmjes së të hënës në Elbasan.

Përplasja mes patrullës së Policisë si edhe një mjeti veturë tip ” Benz” ka ndodhur në vendin e quajtur  “Stacioni i Trenit” në hyrje të qytetit të Elbasanit. Burime të Policisë bëjnë të ditur se “mjeti tip Benz me drejtues shtetasin Samet Hoxha, rreth 24 vjeç, me targë SH 7130 E, është përplasur me automjetin e patrullës me targa Policia 2131, qe  ishte në anë të rrugës dhe po bënte kontrolle rutinë për shpejtësinë e mjeteve. Si pasojë e kësaj përplasjeje kanë pësuar fraktura në pjesë të ndryshme të trupit tre efektivat e Patrullës së Policisë, shtetasit Dedin Stërkaj, 35 vjeç, Bashkim Blloku, 48 vjeç si edhe Qani Ago, 43 vjeç”.

Mësohet se në këtë aksident është përfshirë edhe një mjet tip veturë me targa EL0217 A, që në momentin e aksidentit ka tentuar të frenojë, duke pësuar dëmtime në pjesën e pasme si pasojë e përplasjes së lehtë që ka patur me mjetin e Policisë.

Tre efektivat së bashku me drejtuesin e mjetit me targa Shkodre ndodhen të shtruar në spitalin kirurgjik të Elbasanit, ku më rëndë ndodhet drejtuesi i mjetit, Samet Hoxha. Shkak i aksidentit paraprakisht mendohet se ka qenë shpejtësia nga ana e drejtuesit të mjetit me targa Shkodre.