Lajme Shqip Monday, 02 May 2011 10:22

Elbasan – Policia ka zbardhur brenda një harku kohor prej 12 orësh, ngjarjen e ndodhur një natë më parë ku mbeti i plagosur rëndë me një plumb në kokë 34 vjeçari Ardian Duraku.

Gjatë një konference për shtyp, zëdhënësja e Policisë, Valbona Begu, tha se “pas 12 orësh nga ngjarja e ndodhur një natë më parë në vendin e quajtur “Ura e zezë”, e cila ndodhet nê Komunën Pajovë-Peqin, ku u qëllua nga persona të paidentifikuar me armë gjahu shtetasi Ardjan Duraku, 34 vjeç, banues në lagjen “5 Maji” Elbasan, u bë i mundur identifikimi i tre personave të cilët akuzohen për plagosjen e tij”.

Në këtë kuadër janë arrestuar në flagrancë shtetasit Robert Hysa, 28 vjeç, me banim në komunën Pajovë, Albert Hysa, 27 vjeç si edhe Ibrahim Nurja 20 vjeç, me banim në fshatin Gjyralë të rrethit të Elbasanit. Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri – tjetrin, kanë qëlluar me armë gjahu, në kokë, për shkak të një borxhi të vjetër prej 10 mije euro, shtetasin Ardjan Duraku, i cili në momentin e plagosjes ndodhej brenda në automjetin e tij të tipit “Opel” me targa EL 8260 B.

Paraprakisht Policia deklaroi se shkak i plagosjes ishte për motive xhelozie, por edhe hakmarrjeje, por pas zbardhjes së ngjarjes doli se shkak ishte një borxh i vjetër që i plagosuri u kishte tre personave. Ndërkaq, Policia po punon për kapjen e bashkëpunëtorit të katërt të përfshirë në këtë krim, i cili është identifikuar. Gjatë kontrollit të banesës së tre shtetasve të mësipërm Policia ka sekuestruar një armë gjahu, dy armë zjarri automatik, si dhe një sasi fishekësh.

Aktualisht i dëmtuari ndodhet i shtruar në spitalin Kirurgjik të Elbasanit në gjendje të rëndë për jetën.