Lajme Shqip Saturday, 19 March 2011 12:58

Elbasan – Tre të vdekur, babai e dy djem të familjes Mahmuti si edhe një e plagosur rëndë, që ndodhet në spitalin rajonal është bilanci i viktimave të mëngjesit të sotëm në qytetin e Elbasanit.

Ngjarja makabër ka ndodhur në lagjen “Syrja Dylgjeri” në Elbasan në orën 6:00 të mëngjesit dhe Policia që vazhdon të jetë në vendngjarje, ka nisur të zbardhë vrasjen e trefishtë, kur një person i armatosur kapërceu murin e një banese private për të kryer krimin e tij të trefishtë në familjen Mahmuti.

Sipas të dhënave të para policore, mësohet se “kanë humbur jetën Emin Mahmuti, rreth 75 vjeç, Xhelal Mahmuti, 45 vjeç dhe Pëllumb Mahmuti, 38 vjeç  dhe është plagosur rëndë në kokë Myzejen Qosja 43 vjeç, e cila ndodhet e shtruar në spital, pasi autori i krimit e ka goditur në qafë me një plumb”.

Sipas Policisë, “autori i pajisur me një armë pistoletë me silenciator,  pasi ka kapërcyer murin  rrethues të shtëpisë përdhese, ka shfrytëzuar ende orarin e gjumit për të kryer me qetësi vrasjet e njëpasnjëshme”.

Mësohet se fillimisht ai ka vrarë dy vëllezërit, Xhelalin dhe Pëllumbin dhe më pas të atin e tyre, Eminin dhe duke u rikthyer sërisht pranë krevatit bashkëshortor të njërit prej vëllezërve, ka plagosur rëndë 43 vjeçaren, nusen e shtëpisë.

Ishte nipi i Emin Mahmutit që ka zbuluar këtë ngjarje tragjike, pasi ishte fqinjë me viktimat. Si çdo mëngjes, ai trokiti në derën e xhaxhait të tij dhe më pas, ka parë katër viktimat të gjakosura në shtretërit e tyre.

Drejtues më të lartë të Policisë e Prokurorisë bashkë me një grup policie të specializuar për të tilla ngjarje, ndodhen në vendngjarje, ku kanë nisur hetimet për motivet e saj dhe identifikimin e autorit te mundshëm.

Vrasja e trefishtë për motive hakmarrjeje

Duket se vrasja e trefishtë në familjen Mahmuti vjen si pasojë e një hakmarrjeje të vjetër të njërit prej vëllezërve, Andon Mahmuti, i cili është person me preçedent penal dhe aktualisht, i shpallur në kërkim policor.

Policia deklaron se “Andon Mahmuti, 46 vjeç është person i shpallur në kërkim Policor, pasi në vite të ndryshëm dyshohet se ka kryer një vrasje në Itali dhe një tjetër në  Spanjë. Gjithashtu, në 31 mars, 2009, ai dyshohet të jetë autor për vrasjen me dashje e mbetur në tentativë në lagjen “Syrja Dylgjeri”, ku ndodhi dhe ngjarja e sotme. Në këtë lagje ky shtetas ka tentuar të vrasë me armë zjarri, shtetasin me iniciale  A.B, i cili dyshohet të ketë lidhje me autorin e  ngjarjes së të shtunës”.

Policia 50 mijë dollarë për kapjen e autorit.

Vrasja e trefishtë ka tronditur gjithë qytetin, ndërsa Policia edhe pse po heton imtësisht duke mbledhur detaje në banesën ku ndodhi krimi, nëpërmjet zëdhënëses ka deklaruar se “Policia e Elbasanit vë në dispozicion 50 mijë dollarë  për çdo iformacion të saktë në lidhje me vendndodhjen e autorit apo autorëve  të vrasjes së trefishtë, të ndodhur sot ( e shtunë) në orët e para të mëngjesit”.

Të dhënat e para hetimore të policisë flasin për motivin e hakmarrjes.

Policia e Elbasanit së bashku me ekspertë të policisë të kryeqytetit janë duke hetuar intesivisht për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e autorit dhe kapjen e tij.

Në Elbasan krimi i vrasjeve vetëm ka ndërruar lagje, pasi të paktën 5 persona kanë gjetur vdekjen brenda 24 orëve të fundit në qytet. Një ditë më parë, një 27 vjeçar në lagjen “11 Nëntori” vrau me armë zjarri nënën dhe motrën e tij dhe më pas u dorezua në polici.