Lajme Shqip Monday, 02 May 2011 15:27

Elbasan – Rreth 500 banorë të lagjes periferike “5 Maji” për një periudhë kohe prej tre muajsh do të kenë ujë të pijshëm 24 orë, falë një investimi që ka nisur ditën e sotme në këtë lagje.

Me një fond prej 17 milion lekësh, akorduar nga qeveria shqiptare, kanë nisur sot punimet për ndërtimin e depozitës 200 m3 që do të ndihmojë banorët e lagjes “5 Maji” si edhe një pjesë të qytetit të Elbasanit. Në inagurimin e fillimit të punimeve drejtori i ndërmarrjes ELBER.sh.p.k, Ardian Zhidro, pasi ka falenderuar qeverinë shqiptare për dhënien e këtij fondi, u premtoi banorëve të zonës se në fund të muajit gusht të këtij viti, ato do të kenë ujë të pijshëm në çdo orar dhe nuk do të përdorin më kovat për të mbushur ujë.

Ndërsa kryetari i Këshillit të Qarkut, Blendi Himçi, tha se “ndërtimi i depozitës së ujit në këto zonë, ka qenë edhe një iniciativë e kandidatit për kryetar bashkie, Durim Hushi”, ndërsa e ka cilësuar si risi ndërtimin e kësaj depozite në këtë lagje të harruar nga Bashkia.

Sipas Himçit, “në rast fitoreje të kandidatit të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, kjo zonë nuk do të jetë më një zonë informale, por pjesë e qytetit”.