Lajme Shqip Saturday, 26 November 2011 20:10

Pogradec – Qendra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë, mbështetur nga Bashkia e Pogradecit çeli sot në Shtëpinë e Kulturës “Lasgush Poradeci” ekspozitën “99 Vjetori i Shpalljes së Pavarësisë”, me pjesëmarrjen e nxënësve, intelektualëve dhe qytetarëve jo vetëm nga ky qytet, por edhe nga Korça, Tirana, Elbasani etj., si dhe nga trojet shqiptare të Maqedonisë e Kosovës.

Kryetari i Bashkisë, Artan Shkëmbi, i cili uroi të pranishmit për festat e nëntorit, e cilësoi këtë veprimtari si një nga më të rëndësishmet në  gjithë Shqipërinë “jo vetëm për përmasat historike të kësaj ngjarje në jetën e popullit tonë, por edhe nga vlera dhe ekskluziviteti i materialeve dhe eksponateve që u ekspozuan aty”.

Kështu, veç Aktit të Shpalljes së Pavarësisë i vitit 1937, vizitori pa për herë të parë 25 flamuj kombëtarë që datojnë nga viti 1905 deri në vitin 1944, kartëpostale dhe fotografi të patriotëve, çetave, klubeve dhe shoqërive patriotike, dalë me imazhin e flamurit shqiptar, koleksion kartëpostalesh me flamurin shqiptar dhe amerikan. Në këtë ekspozitë ishin afishuar gjithashtu flamuri shqiptar në shtypin e viteve 1913-1944, imazhi i flamurit shqiptar në etnokulturën shqiptare (vula buke, furka, pagure, fyej, çorape, qilima, kuti duhani, qëndisje etj), vula origjinale e administratës së Princ Vidit (1914), emblema, stema, dekorata me simbolin e flamurit (1912 – 1944) etj.

Kryetari i Qendrës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë, Shpëtim Sala, vuri në dukje se historia e lashtë e kombit shqiptar është e shoqëruar nga simboli i shqiponjës; flamuri kuq e zi me shqiponjën dy krenare i mbijetoi në shekuj sulmeve barbare të armiqve; ai jetoi e jeton në kulturën e popullit shqiptar e në vetëdijen e tij, i transmetuar brez pas brezi, si një amanet i shenjtë.

Ai tha gjithashtu se flamuri i kombit shqiptar njihej nga popullsia e të katër vilajeteve, ku banonin shqiptarët, përpara se të shpallej pavarësia më 28 nëntor 1912 dhe kombi shqiptar është krenar për flamurin kuq e zi.

Kurse Xhemi Hajredini, duke përshëndetur në emër të shqiptarëve të diasporës, tha se “jemi krenarë për këtë trashëgimi të madhe kulturore e të çmuar që kemi. Lum ata që kanë vlera patriotike dhe historike si ne e nuk i harrojnë ato kurrë”.

Ekspozita do të qëndrojë e çelur deri më 28 nëntor  2011. (LajmeShqip.com)