Lajme Shqip Wednesday, 02 November 2011 12:46

Prishtinë – Ekspozita e fotografive të krimeve serbe në Mitrovicë “Dhuna në dy dekadat e fundit”, e autorit Halit Barani, veprimtarit për çështjen kombëtare dhe të drejtat e njeriut, u hap dje në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica” në qytetin më të madh verior të Kosovës.

Përveç shumë qytetarëve, në hapjen e ekspozitës morën pjesë edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, simboli i rezistencës shqiptare në Kosovë, Adem Demaçi, veprimtarë për të drejtat e njeriut, familjarë të dëshmorëve, veteranë e invalidë të luftës.

Demaçi e vlerësoi lartë ekspozitën, punën dhe guximin e veprimtarit Barani duke e quajtur këtë ekspozitë të tmerrit dhe krenarisë njëkohësisht, pasi tha se, “shqiptarët mbijetuan dhunën qindra vjeçare të atyre, që deshën t’i shfarosin”.

Autori i më shumë se 100 fotografive të ekspozuara, ku shihen njerëz të masakruar në mënyrën më barbare, Halit Barani, u shpreh se, “kam edhe shumë fotografi të tjera në të cilat shihet krimi i ekstremistëve serbë ndaj shqiptarëve vetëm në dy dekadat e fundit në komunën e Mitrovicës, por kësaj radhe i ka zgjedhur vetëm ato më të tmerrshmet”.