Lajme Shqip Tuesday, 25 September 2012 13:12

Prishtinë – Letra e gjetur në zyrën e kryetarit të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanajt rezulton të jetë shkruar nga dora e tij. Ekspertiza grafologjike ka treguar se shkrimi prej tre rreshtash, ku thuhej se po e “çonte drejtësinë në vend” pas akuzave publike për korrupsion që kishin bërë biznesmenët Remzi Ejupi e Abdurrahman Konjufca është shkrimi i Dino Asanajt. Ekspertiza e gjurmëve ndërkaq ka treguar se letra nuk është prekur nga dorë njeriu pos nga ajo e të ndjerit Asanaj.

Burime brenda procesit hetimor i kanë thënë “Kohës Ditore” se deri tash janë kryer të gjitha hetimet. Burimi ka thënë se nuk ka dilemë që Asanaj vetë i ka dhënë fund jetës mesditën e 15 qershorit të këtij viti, po nuk është gjetur arsyeja se çfarë e shtyu të bënte një veprim të tillë.

“Të gjitha ekspertizat janë kryer. Ekspertiza grafologjike ka treguar se shkrimi është i tij, gjurmët janë të tij. Po ashtu nuk është gjetur asnjë mesazh telefonik apo në kompjuter se është kërcënuar apo shantazhuar nga dikush që mund të kuptohej si shtytje për vetëvrasje”, ka thënë burimi në kushte anonimiteti.

Shoferi i Dino Asanajt ndërkaq ka dhënë detaje që nuk i kishte treguar herën e parë, kur ishte intervistuar. Në intervistën e dytë që i ka dhënë Policisë ka treguar se Asanajn e kishte gjetur gjallë.

“Kur kam hy në zyrë e kam pa që është gjallë dhe jam afru me i dhanë ndihmë. Më ka thanë largohu mos me jep ndihmë se po du me vdek”, ka cituar një hetues shoferin e Asanajt.

Letra e gjetur të tavolinë flet për një akt vetëvrasjeje: “Remzi Ejupi, gazeta ‘Zëri’ dhe Konjufca ma kanë shkatërruar jetën dhe familjen time dhe unë vendosa ta zbatoj ligjin duke vepruar kështu”.

Pas autopsisë së kryer në trupin e Asanajt dhe konstatimit se kishte vrarë veten, ani se numri i therjeve dhe prerjeve ishte i madh, hetimi qe fokusuar në shkaqet e vetëvrasjes. Por deri tash nuk është gjetur ndonjë gjurmë që do të mund ta bënte dikë përgjegjës penalisht për vetëvrasjen e Asanajt.

Veprime të mëhershme të të ndjerit Asanaj janë interpretuar nga hetuesit dhe Prokuroria si parapërgatitje se ai do të bënte vetëvrasje. Kështu është parë testamenti i Asanajt i shkruar pak kohë para vetëvrasjes. Sipas një burimi, gjithë pasurinë Asanaj ia ka lënë gruas së tij, Adelina Reçica, përveç një shtëpie njërit prej vëllezërve që jeton në Amerikë.

Ndërkohë Prokuroria nuk ka bërë ndonjë hap të madh për zbardhjen e akuzave për tentativë zhvatje në mes të anëtarëve të Qeverisë së Kosovës. Dy prokurorët që po merren me këtë rast, njeri i EULEX-it dhe tjetri i Qarkut të Prishtinës, nuk kanë intervistuar deputetët Ukë Rugova, Naser Osmani, ish-zëvendësministrin e Ekonomisë, Astrit Haraqija, dhe biznesmenin Gazmend Abrashi, të cilët janë denoncuar nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli dhe biznesmeni Remzi Ejupi se kanë kërkuar deri në katër milionë euro në këmbim të mosmarrjes së hotelit “Grand” nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Bordi i së cilës drejtohej nga Dino Asanaj.(LajmeShqip.com)