Lajme Shqip Sunday, 30 September 2012 13:16

Prishtinë – Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje organizuan të dielën një aksion simbolik në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, ku paraqitën shpenzimet absurde të Qeverisë së Kosovës për “ekskursionin” në Nju Jork.

Në shesh, aktivistët e kësaj lëvizjeje, ekspozuan fotografi të shumta, me figurat kryesore të politikës vendore, me mbishkrime të shpenzimeve që u bënë gjatë vizitës së delegacionit të Kosovës në Nju Jork.

“Gjatë javës që kaloi në emër të përfaqësimit të dinjitetshëm në arenën ndërkombëtare, kryeministri vetë i pesëdhjeti ia mësyu Nju Jorkut në kohën kur do të zhvillohej sesioni i 67 i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Në një prononcim të tijin rreth kritikave të bëra, kryeministri i qejfeve, tha se nuk i bëhet vonë për reagimin e opozitës dhe se kjo vizitë e tij ka qëllim madhor dhe se është një paraqitje e dinjitetshme për Kosovën”, reagon Vetëvendosje.

“Ne i themi Kryeministrit që Republika e Kosovës ka nevojë për përfaqësim të dinjitetshëm nga njerëz të dinjitetshëm, të pakorruptuar dhe kompetent, e jo nga ministra të korruptuar dhe anëtarë të tjerë të delegacionit të cilët as vetë nuk e dinin qëllimin e kësaj vizite apo më mirë të themi të këtij ekskursioni, përveçse zhvatjes së mëditjeve të majme”, thuhet më tej në reagimin e Vetëvendosjes.

Ndërkaq, sipas llogarive të bëra nga ky subjekt politik opozitar, “ky ekskursion buxhetit të Republikës së Kosovës i kushtoi rreth 200 mijë euro, mjete këto të cilat i takojnë qytetarëve”.

Sipas Vetëvendosjes, këto mjete mund të ishin shpenzuar për: 5000 ndihma sociale në Kosovë, apo 4445 pensione minimale, apo 1176 paga minimale në Kosovë, apo 222 bursa për studentë në Universitetin e Prishtinës, apo 1110 pensione për invalidë të UÇK-së. Vetëvendosje thotë se Kryeministri dhe qeveritarët e tjerë treguan sërish se me çfarë lehtësie mund t’i keqpërdorin mjetet e tatimpaguesve. “Ata nuk kanë as drojë dhe as nuk shqetësohen për hallet dhe mjerimin që çdo ditë e më tepër po e rëndojnë popullin në Kosovë”.

“E ndërsa qytetarëve u bëjmë thirrje që të organizohen kundër kësaj Qeverie, motoja e të cilës është: zhvatje pensionesh, ndihmash sociale, bursa studentësh, e zhvatje ndërmarrjesh publike. Organizimi ynë i përbashkët mund t’i ndalë ata”, thuhet në fund të reagimit të Lëvizjes Vetëvendosje. (LajmeShqip.com)