Lajme Shqip Saturday, 06 August 2011 15:44

Mitrovicë, (LajmeShqip.com) -Burimet e Portalit LajmeShqip.com nga terreni, në Jug dhe Veri të Mitrovicës si dhe brenda KFOR-it, bëjnë të ditur se dita e sotme është e tensionuar. Serbët janë të riorganizuar dhe situata midis vetë atyre është e paqartë.


Foto: Sh.Sh-Reporteri.com, 26.07.2011 – (1) I fotografuar përballë, me qëllim të shmangies së fotografimit, majtas vërehet një anëtar i identifikuar i MUP-it të Serbisë, që lëvizë nga “Golfi” dhe kthehet më vonë
(2) Vladimir Rakiç duke diskutuar me anëtarë të Policisë së Kosovës, i njohur me pseudonimi “Gile”, udhëheqës i Rojave të Urës në Mitrovicë

Burime të portalit bëjnë të ditur se Stefanoviq dhe Bogdanoviq, me qëllim i kanë organizuar serbët që ta mbajnë këtë reagim, pasi mbrëmë, në orën 24:00 (në mesnatë), ka kaluar ultimatumi që KFOR-i ua pati dhënë serbëve për heqjen e barrikadave, në të kundërtën, pati paralajmëruar se do t’i heqë vetë.


Foto: Sh.Sh-Reporteri.com, 26.07.2011 – (1) I fotografuar përballë, me qëllim të shmangies së fotografimit, majtas vërehet një anëtar i identifikuar i MUP-it të Serbisë, që lëvizë nga “Golfi” dhe kthehet më vonë

Sot, burimet nga terreni raportojnë se barrikadat janë shtuar në rrugë të ndryshme. Në disa barrikada, veçanërisht në atë në Rudarë dhe Zupçë, janë shtuar kamionët dhe është shtuar zalli.

Fytyra të reja në veri – prezentë anëtarë të ushtrisë dhe policisë së Serbisë

Burimi i Portalit, duke iu referuar burimit të besueshëm brenda serbëve, bën të ditur se barrikada në Rudarë dhe Zupçë dyshohet të jetë minuar gjatë natës së mbrëmshme. Burimi nuk e përjashton mundësinë që edhe barrikada të tjera të jenë të minuara, derisa thotë se së paku në Rudarë dhe Zupçë janë të sigurta minimet e tyre.

Nëpër Veriun e Kosovës vërehen fytyra të reja që lëvizin. Janë identifikuar persona të ndryshëm që mbajnë nga një shenjë të vizatuar në qafë (tatu me shenjë të “skorpionit–gaforrit”), të cilët deri më tani nuk janë parë nëpër Veri të Kosovës.

Sot, gjithkund në veri vërehen lëvizje aktive të personave. Bashkëpunëtorët e Portalit LajmeShqip.com kanë identifikuar se sot një pjesë e madhe e këtyre personave janë të koncentruar në kafeterinë e ashtuquajtur “Te Coca”, në Zveçan.

Ndërkombëtarët kanë identifikuar anëtarë dhe pjesëtarë të njësive speciale serbe, të ushtrisë dhe policisë

Nga burim i besueshëm i Portalit LajmeShqip.com brenda ndërkombëtarëve, bëhet e ditur se ata kanë identifikuar së paku 500 persona të ndryshëm, që kanë hyrë në Veri të Kosovës, të cilët janë anëtarë të Njësisë Antiterroriste të Serbisë (SAJ), anëtarë të ushtrisë dhe Policisë së Serbisë dhe anëtarë të njësive të tjera diverzante.

Disponimi i serbëve në Veri është që në asnjë mënyrë të mos pranohet marrëveshja e arritur. KFOR-i nuk ka lëvizje deri në këto momente. Në pikat kufitare G1 dhe G31 ka kontrabandë të mallrave. Të gjitha pompat e benzinës vërehet se janë të furnizuara mirë pas një shkëputjeje disaditëshe, në të cilat nuk gjendeshin derivate të ndryshme. (LajmeShqip.com)