Lajme Shqip Tuesday, 10 January 2012 13:07

Prishtinë – Drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica dhe shefi i zyrës ligjore të Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna janë deklaruar të pafajshem lidhur me aktakuzën për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Ata e kanë konsideruar qesharake këtë aktakuzë të ngritur ndaj tyre nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës

Sipas tyre nuk ka asnjë shkelje ligjore sepse kompanitë shumë kohë para marrjes së vendimit për rritje të akcizës kishin paguar doganën dhe akcizën.

Në këtë rast është ish ministri Ahmet Shala si denoncues.

Dëmi sipas prokurorisë për buxhetin e Kosovës është rreth 5 mijë euro. Procesi vazhdon të mërkurën.

Dy zyrtarët më të lartë të Doganave të Kosovës u paraqitën sot në Gjykatën e Prishtinës nën akuzën për shpërdorim të detyrës zyrtare të ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Ata mund të dënohen deri në 8 vjet burgim për veprime të paligjshme që kanë të bëjnë me importimin e duhanit.

Prokuroria Speciale i akuzon Naim Huruglicën dhe Lulzim Rafunën se në dhjetorin e 2008-së kishin lejuar importin e një sasie të madhe të duhanit nga kompanitë Gekos, Buqaj, Tabakos dhe Kosova Tobacco, përkundër një vendimi të Qeverisë së Kosovës që në fillim të janarit 2009 të ngritëj akciza për importimin e duhanit.

Prokuroria më 8 qershor të vitit të kaluar kishte ngritur aktakuzë kundër Huruglicës dhe Rafunën, se kishin kryer veprat penale, shpërdorimi i detyrës zyrtare ose i autorizimit dhe keqpërdorim i autorizimit në ekonomi.

Por aktakuza u hodh poshtë nga Gjykata duke mos e konfirmuar.

Por pas ankesës së prokurorit Special të EULEX-it të bërë në Gjykat, njëra pikë ishte konfirmuar duke hedhur poshtë kështu vendimin e një gjyqtari i cili nuk kishte konfirmuar asnjërën prej pikave të aktakuzës. Kjo ka bërë që këta dy zyrtarë të lartë të gjykohen për shpërdorim. (LajmeShqip.com)