Lajme Shqip Monday, 10 August 2015 15:27

Tashmë që kriza Rama- Meta është evidente, kanë nisur të rrjedhin edhe informacionet mbi atë çka po luhet në prapaskenën e mazhorancës.

 Burime pranë kryeministrit thanë për lapsi.al se ai ka qenë i shqetësuar për marrëdhënien e vështirë më partnerin e koalicionit, por në asnjë rast nuk ka pranuar të ndikohet nga presionet e ndryshme që ia janë bërë. Përkundrazi, Edi Rama ka nisur të marrë masa në rast se kriza thellohet dhe Ilir Meta (ashtu siç u ka thënë njerëzve të tij të besuar) vendos të dalë nga koalicioni. Madje Rama nuk e ka përjashtuar mundësinë edhe të zgjedhjeve të parakohshme nëse Meta i bën numrat për ta rrëzuar në Kuvend. Por ideja e zgjedhjeve të parakohshme më shumë duket si një kundër reagim ndaj presionit të LSI se sa një opsion real për Edi Ramën. Ai nuk është politikani i vendimeve të forta.

Për këtë arsye, larg vëmendjes së mediave, disa ditë më parë, pikërisht në kulmin e krizës me Metën dhe pas vizitave të kancelares Merkel në Tiranë dhe ndihmës sekretares Nuland, Edi Rama është takuar me Fatos Nanon. Ish kryetari i PS ka shkuar në kryeministri, i kujdesshëm për të mos rënë në sy, dhe është ulur për të biseduar me Ramën në restorantin e katit të dytë në kryeministri.

Në takim, veç Ramës dhe Nanos, thuhet se ka qenë dhe një këshilltar i besuar i kryeministrit. Gjatë drekës, Rama mendohet t’i ketë kërkuar Fatos Nanos një lloj mbështetje brenda së majtës nëse raporti me Ilir Metën shkon drejt ndarjes. Në fakt më shumë se mbështetje, Rama ka dashur të shmangë ndonjë ngjizje të mundshme brenda së majtës që mund t’i rrezikonte seriozisht pushtetin. Një bashkim hipotetik Nano- Meta, duke hamendësuar afrimin në të, veç deputetëve të LSI, edhe të atyre të PS që janë të pakënaqur me kryeministrin mund ta rrezikonte seriozisht Ramën. Pa shtuar këtu faktorin Blushi, që gjithsesi mbetet një alternativë ndaj Ramës në rast të ndonjë krize të mundshme në PS.

Nga informacionet e pakta që kanë rrjedhur pas drekës në kryeministri, lapsi.al ka mësuar se Fatos Nano i ka dhënë një lloj garancie Ramës se nuk do të përzihet në rast të një ndarje të këtij të fundit me Ilir Metën. A ka marrë Nano për këtë gjë ndonjë premtim për ëndrrën e tij tashmë anekdodike për t’u bërë president, kjo nuk dihet. Por ai ka siguruar se nuk do të veprojë si faktor anti Ramë në një çarje të mundshme të mazhorancës.

Sigurisht që lajmin për drekën Rama- Nano e ka mësuar edhe Ilir Meta. Ky i fundit, duke ndjerë lojën e Ramës pas shpinës së tij, nuk ka shumë lëvizje për të bërë. Ose do të pranojë të vazhdojë bashkëqeverisjen pa u ndjerë dhe duke pritur ditën e tij, ose do të dalë më vete me shpresë se nuk do të mbetet vetëm. /lapsi.al