Lajme Shqip Tuesday, 16 August 2011 12:50

Prishtinë – Ndryshimet kushtetuese që janë në proces, do t’i japin të drejtë Gjykatës Kushtetuese ta shkarkojë Presidentin e Republikës së Kosovës, i cili do të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, kanë bërë të ditur burime të Portalit LajmeShqip.com.

Deri tash këtë kompetencë e ka pasur vetëm Kuvendi, siç ka pasur në kompetencë edhe zgjedhjen e presidentit, por ndryshimi i aktit më të lartë juridik të Republikës së Kosovës, këtë kompetencë do t’ia bartë Gjykatës Kushtetuese. Madje, edhe betimin Presidenti pritet ta bëjë në këtë Gjykatë.

Kjo parashihet në “Konkluzionet nga faza e parë e procesit të shqyrtimit dhe amandamentimit të Kushtetutës”, që e ka nxjerrë Komisioni parlamentar, i ngarkuar me këtë çështje.

Portali LajmeShqip.com ka siguruar një kopje të konkluzioneve, ku janë të ngritura rreth 30 pyetje, të përcjella me konkluzione dhe alternativa të ndryshme të ndryshimeve që duhet bërë.

Komisioni është dakorduar të ndërhyjë nga neni i Kushtetutës që përcakton formën e zgjedhjes së presidentit, pastaj kualifikimet për zgjedhjen, statusin e kandidatëve, mandatin dhe betimin, imunitetin, shkarkimin, zëvendësimin, e deri te kompetencat që do t’i ketë i pari i shtetit. Për secilën nga këto nene janë dhënë deri në tri alternativa të mundshme, se si duhet bërë ndryshimi.

Në dokumentin përmbledhës të ndryshimeve kushtetuese, është i bashkëngjitur edhe një prezantim i shkurtër për ecurinë e fazës së parë të amandamentimit të Kushtetutës, i bërë nga deputeti Arsim Bajrami, që është kryetar i Komisionit. Në fazën e parë janë organizuar tri punëtori dhe disa takime të rregullta, gjatë së cilave Komisioni fillimisht ka arritur të identifikojë të gjitha dispozitat kushtetuese që do të jenë objekt i shqyrtimit dhe amandamentimit.

Më pas, me ndihmën e një grupi të gjerë të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe, veçanërisht, asistencës teknike dhe profesionale të ofruar nga  USAID, NDI dhe IFES, Komisioni ka hyrë në procesin e shqyrtimit të detajuar të dispozitave Kushtetuese që duhet ndryshuar. Njëkohësisht, Komisioni është angazhuar edhe në përcaktimin e konturave për Ligjin për Zgjedhjen e Presidentit, dhe identifikimin e çështjeve që do të rregullohen me të.

Gjatë këtij procesi, komisioni ka konsultuar mbi 40 kushtetuta të shteteve të ndryshme, me fokus te veçantë në kushtetutat e vendeve që zgjedhin drejtpërdrejt presidentin. Deputeti Bajrami ka thënë për këtë dokument se “përveç që ofron një pasqyrë të qëndrimeve të anëtarëve të Komisionit, shërben edhe si bazë për përafrimin e qëndrimeve në çështjet e hapura, duke mundësuar kështu kalimin në fazën e dytë të procesit, kur do të hartohen drafti i parë i amendamenteve Kushtetuese dhe Projektligji për Zgjedhjen e Presidentit”.

Në vijim mund të gjeni një përmbledhje të konkluzioneve dhe alternativave të identifikuara si rezultat i punës dy mujore të Komisionit. Edhe pse në shumë aspekte ekziston koncensus brenda Komisionit, janë disa çështje që kanë mbetur ende të hapura dhe me shumë alternativa. (LajmeShqip.com)

{fotogaleria}


{/fotogaleria}