Lajme Shqip Monday, 29 August 2011 13:36

Mitrovicë – Masa e reciprocitetit që ka vënë Qeveria e Republikës së Kosovës ndaj mallrave të Serbisë nuk është respektuar jo vetëm nga serbët, por edhe nga disa shqiptarë. Edhe shqiptarë të Kosovës e kanë shkelur reciprociten me Serbinë. Biznesi është vënë para interesit për vendin dhe janë kontrabanduar mallra prej letrës së toaletit deri te pjesët e pushkëve. Portali LajmeShqip.com sjellë dokumentin, me emra e mbiemra, të atyre që e shkelën shtetin – Kosovën.

Portali LajmeShqip.com ka siguruar nga burime në qeveri raportin detaj që tregon emrat e 47 kosovarëve, të cilët kanë tentuar të kontrabandojnë mallra me origjinë nga Serbia. Pos identitetit të kontrabanduesit, në raport precizohet edhe tipi i automjetit ku është gjetur malli, numri i tabelave të automjetit, vendndalimi dhe lloji i mallit. Rastet e tentim kontrabandës i referohen periudhës prej kur Qeveria ka marrë vendim të ndalojë mallrat serbe e deri më 20 gusht.

Për shkak se rrugët për të kontrabanduar me të madhe janë ndalur pas aksionit të Policisë së Kosovës për t’i vënë nën kontroll pikat doganore në Jarinjë dhe Bërnjakë, këta kosovarë joligjshëm janë munduar në sasi të vogël të fusin mall të tillë. Nga llojet e mallit, ka prej letrës së tualetit e deri tek diabolla për pushke ajrore.

Kryesisht, policia ka zënë karburante me origjinë serbe. Produkte të tjera komerciale që janë të ndaluara të hyjnë nga Serbia në Kosovë, por që është mundur të futen jashtëligjshëm, janë: pije alkoolike dhe joalkoolike, material ndërtimor, autopjesë, pjesë kompjuteri, tekstil etj.

Ministrja e Tregtisë Mimoza Kusari-Lila, pa përmendur detajet e raportit, në mbledhjen e Qeverisë i është referuar atij dhe ka thënë se në të gjitha rastet Doganat e Kosovës kanë aplikuar masën e konfiskimit dhe gjobës mandatare. “Kjo dukuri është më e shprehur në pjesën veriore të Kosovës, por edhe në pjesën lindore, respektivisht në rajonin e Gjilanit. Vlera e përgjithshme e mallrave të konfiskuara është 11 mijë e 195 euro, ndërsa natyra e mallrave është: 80 për qind të rasteve kemi të bëjmë me naftë dhe derivate të naftës, pije alkoolike dhe pa alkool, barna pa banderolë, etj”, ka thënë ministrja Kusari-Lila. (LajmeShqip.com)

{fotogaleria}

 

 

 

 

 

 

 

 

{/fotogaleria}