Lajme Shqip Monday, 06 May 2013 11:49

Prishtinë – Delegacioni i Republikës së Kosovës, ka udhëtuar në Bruksel për takimin e radhës për planin e implementimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Republikës së Kosoëvs dhe Serbisë, ka bërë me dije kabineti qeveritar përmes një komunikate për media.

“Delegacioni i Kosovës shkon me qëllimin për të arritur marrëveshjen për implementimin, duke përfshirë çështjet e implementimit dhe definimet për afatet kohore, akterët e implementimit dhe çështjet konkrete”, thuhet në njoftim.

“Ne theksojmë nevojën që marrëveshja të implementohet sa më shpejtë, në mënyrën e paraparë në marrëveshje, për çka pala kosovare është e gatshme dhe pret një gatishmëri të tillë edhe nga pala serbe dhe faktorët ndërkombëtarë, si KFOR-i dhe EULEX-i”, citohet të ketë thënë para nisjes, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.

Delegacioni i Kosovës kryesohet nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, në të cilin marrin pjesë edhe koordinatori për bisedime, Blerim Shala, Kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci dhe Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.