Lajme Shqip Wednesday, 26 June 2013 20:21

Kajro – Republika Arabe e Egjiptit e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Vendimi i është kumtuar në mëngjesin e sotëm ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Hoxhaj ia ka konfirmuar portalit Koha.net se vendimin ia kanë bërë të ditur nëpërmjet telefonit zëvendëspresidenti egjiptian, por dhe zëvendësministri i këtij shteti.
Egjipti është një nga vendet më të populluara në Afrikë dhe Lindjen e Mesme dhe vendi me më ndikim në këtë pjesë.
Paralajmërimin për njohjen e pati dhënë në ditën e 5-vjetorit të pavarësisë së Kosovës edhe e dërguara e posaçme e presidentit egjiptian, Mohamed Morsi, dhe njëherësh zëvendëspresidente e Egjiptit, Pakinam El Sharkawy. Ajo pati marrë pjesë në ceremonitë shtetërore të shënimit të përvjetorit të pavarësisë.
Lajmin për këtë njohje e ka publikuar Hoxhaj edhe në profilin e tij në Facebook. Aty ai shkruan: “Posa morra lajmin nga bashkëpunëtori i Presidentit Morsi të Republikës Arabe të Egjiptit se Egjipti ka njohur Republikën e Kosovës. Shteti më i vjetër në botë njohu shtetin më të ri në Evrope”.
Egjipti është shteti i 101-të që e njeh pavarësinë e Kosovës.