Lajme Shqip Thursday, 20 August 2015 11:42

Nga kultivimi i bimës narkotike të hashashit në Lazarat të Shqipërisë, konsiderohet se furnizohej një pjesë e madhe edhe e tregut kosovar.

Por, ndërhyrja e shtetit shqiptar dhe shkatërrimi i kësaj “oaze” të kultivimit të drogës, ka bërë që mungesa e hashashit dhe ngritja e çmimit të tij në tregun kosovar të jetë shumë e theksuar.

Disa përdorues të hashashit e konfirmojnë se rënia e Lazaratit ua ka bërë më të vështirë sigurimin e substancës narkotike që ata konsumojnë.

“Ndërhyrja e policisë së Shqipërisë në Lazarat ka ndikuar në çmim në masë të madhe. Mirëpo, në përdorim aspak, sepse varësia ndaj substancave narkotike nuk njeh moshë, racë, gjini, fe, e as edhe çmim!”, deklaroi një përdorues për lajmi.net.

Ai tregon se kjo situatë ka bërë që çmimi i hashashit të ngritët deri në masën 500 për qind.

“Nëse e masim me kg, nga 700-900 euro sa ka kushtuar më herët, tani kushton 3000 deri në 5000 euro, varësisht nga lloji”.

Ndërsa, i pyetur se nga vejnë ky lloj i drogës, pas “paralizimit” të Lazaratit, ai thotë se sërish Shqipëria ngelet furnizuesi kryesor, por një pjesë edhe nga kultivues vendor.

“Kryesisht nga Shqipëria, mirëpo një pjesë edhe nga kultivuesit vendor (nga Kosova). Gjithmonë, në çdo vend ka kultivues, mirëpo shkatërrimi i Lazaratit ka ndikuar jashtë mase në rritjen e kërkesës për substanca të tilla, gjë që shumë persona këtu e kanë parë si një rrugë të shpejtë për rritjen e arkave të tyre dhe si diçka që ja vlen të rrezikohet”.

E, një përdorues tjetër thotë se një “spliff” (hashash i mbështjellë në formë cigareje), tani shkon deri në 10 euro.

“Kurrë më parë nuk ka ndodhur kjo. Në të kaluarën me 5 euro arrije të blije sasi hashashi me të cilën mund t’i mbështillje deri në tre spliffa”, ka thënë ky konsumues i mariuhanës.

Mungesa e hashashit është vërejtur edhe gjatë “DokuFest” në Prizren, ku zakonisht në të kaluarën raportohej se një pjesë e madhe e të rinjve që frekuentonin këtë festival, konsumonin këtë “cigare” ilegale.

Persona që janë konsumues të rregullt të këtij lloji të narkotikut, kanë thënë për lajmi.net, se kjo ka ndodhur vetëm për një arsye, dhe ajo është mungesa e hashashit në treg, dhe jo shkaku i punës së policisë apo diç tjetër.